Juventus, 6 milionë euro në vit për Van Persin

Robin Van Persi bën një hap të rëndësishëm drejt Juventusit, duke vendosur që të kontaktojë drejtpërdrejt me klubin bardhezi, të cilin e ka vizituar bashkë me menaxherin e tij për të diskutuar një transferim të mundshëm.

Ndonëse mendohej se futbollisti holandez u kishte thënë përfundimisht jo italianëve, ai ka bërë të kundërtën duke u shfaqur në Torino për të folur me kampionët e Italisë. Bardhezinjtë kanë bërë të qartë se i ofrojnë atij 6 milionë euro në vit, përkundrejt 8 milionë eurove që kërkon futbollisti i Arsenalit. Por klubi nuk dëshiron të prishë ekuilibra brenda skuadrës, pasi 6 milionë euro është “tavani” i rrogave që kanë vendosur në klub dhe nuk bëjnë përjashtime as në këtë rast.

Për të bindur lojtarin, ata po përdorin taktika të tjera, duke filluar nga garancia se ai do të trashëgojë fanellën me numrin 10, që deri një javë më parë i përkiste “legjendës” Del Piero. Për më tepër, ata i kanë treguar sulmuesit holandez se ai do të ishte vetëm përforcimi i parë i skuadrës që synon të kthehet e madhe edhe në arenën ndërkombëtare, me objektiv triumfin në Ligën e Kampioneve.

Tani mbetet për të parë se cilat janë hapat e ardhshëm të dy palëve, ndërsa për momentin bardhezinjtë kanë mbajtur hapur çdo opsion tjetër, përfshirë Kavani, Higuain dhe Suarez, të cilët ashtu si Van Persi pritet të flasin drejtpërdrejt me drejtuesit e klubit torinez. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button