Spanja lutet të mos fitojë në Eurovision

Spanja mund të hyjë në histori si shteti i parë pjesëmarrës në Eurovision që bën tifozeri kundër këngëtares së saj.

Në bazë të traditës së festivalit që bashkon këngët më të mira të festivalave kombëtare të çdo shteti europian, vendi fitues shpërblehet me organizimin e edicionit të ardhshëm të Eurovisionit.

Pastora Soler, e cila merr pjesë në këtë edicion me këngën “Quetade con migo” (Qëndro me Mua), pranoi se ndihet e stresuar nga ideja që mund të shpallet fituese, pas vlerësimeve pozitive që ka marrë në raundin e parë.

Sipas saj, nëse do të fitojë, Spanjës do t’i duhet të shpenzojë shumë për përgatitjen e ceremonisë të edicionit të ardhshëm dhe ajo pranoi se ndihet keq nga ideja që kënga e saj mund t’u kushtojë me dhjetëra milionë euro taksapaguesve spanjollë, në një kohë kur një në katër persona nuk ka punë dhe siguron me vështirësi bukën e përditshme.

Komentatorët e televizionit kombëtar spanjoll, “TVE”, gjithashtu shprehën urimin e tyre negativ, në komentin direkt. “Le të shpresojmë të mos fitojmë”, thanë ata. “Nëse Pastora Soler do të triumfojë vendi duhet të shpenzojë shumë shumë para për Eurovisionin e ardhshëm dhe nuk e di nëse do të kishim mundësi ta organizonim me të vërtetë ceremoninë”.

Megjithatë, sipas parashikimeve të një faqeje në internet, shqetësimi i Spanjës është i tepruar, pasi ka pak gjasa që vendi të fitojë. Suedia dhe Rumania duken në “pole-position” për suksesin përfundimtar, ndërsa “Suus” i Rona Nishliut, pjesëmarrëses shqiptare, parashikohet të renditet në vendin e gjashtë.

Lajme të ngjashme

Back to top button