Kush luan me kufijtë në Ballkan, luan me BE

Parlamenti gjerman miratoi zgjatjen e mandatit të Bundeswehrit në Kosovë edhe me një vit tjetër. Parlamentarët gjermanë ranë dakord të premten në një votim për zgjatjen e mandatit të ushtarëve gjermanë të KFOR-it. 486 deputetë votuan pro zgjatjes së mandatit, 70 kundër, tetë të tjerë abstenuan.

Si edhe më parë kufiri maksimal i prezencës gjermane në Kosovë do të jetë 1.850 ushtarë. Por në mision marrin pjesë shumë më pak ushtarë. Për shkak të gjendjes së tensionuar në veriun e Kosovës dhe zgjedhjeve presidenciale në Serbi, aktualisht prezenca gjermane në Kosovë u përforcua në 1.200 ushtarë. Në javët e ardhshme pritet reduktimi i saj me rreth 500 ushtarë.

Në fillim të debatit në Bundestag, zëdhënësi për çështjet e politikës së Jashtme në fraksionin liberal gjerman (FDP), Rainer Stinner vlerësoi si të suksesshëm misionin e KFOR-it në tërësi dhe punën e ushtarëve gjermanë. KFOR-i ka qenë në gjendje të sjellë stabilitetin dhe sigurinë në Kosovë, dhe ta ruajë atë deri më sot. Ky është një kontribut i rëndësishëm për stabilitetin në rajon dhe Evropë, tha parlamentari gjerman, njofton DW.

“Me zgjatjen e mandatit të Bundeswehrit ne dërgojmë mesazhe të qarta. Mesazhi i parë është që ne si Bundestag e bëjmë edhe një herë të qartë se kemi gatishmërinë për të marrë përgjegjësinë për rajonin. Ky është mesazh i rëndësishëm, se me këtë ne themi se ky rajon është Evropë, ai është para shtëpisë sonë, prandaj ne e ribëjmë premtimin tonë me fjalë të qarta”, tha Stinner.

“Kufijtë në Ballkan janë vendosur dhe ne refuzojmë qartë disa ëndrra politike për ndryshimin e tyre. Kush luan me kufijtë në Ballkan, humb shanset e të ardhmes së rajonit të vet në Evropë”, u shpreh pa ekuivoke deputeti gjerman i shoqëruar me duartrokitje në sallën e parlamentit.

“Çfarëdolloj përpjekje nga çfarëdolloj pale për të ndryshuar kufijtë në Ballkan, qofshin ëndrra shqiptare që ndonjëherë dalin në dritë, qofshin iniciativa serbe, ne i refuzojmë kategorikisht”, tha Stinner në fjalën e tij në Bundestag.

Stinner kërkoi gjithashtu një qëndrim të njësuar të Bashkimit Evropian në çështjen e statusit të Kosovës nga pikëpamja e së drejtës ndërkombëtare. Të njëjtin qëndrim përkrahën edhe politikani demokristian, (CDU) Peter Bejer dhe deputeti i të Gjelbërve, Omid Nouripour. Nga të 27 shtetet e Bashkimit Evropian, Spanja, Greqia, Sllovakia, Rumania dhe Qipro nuk e kanë njohur ende Kosovën.

Marre nga Telegrafi

Lajme të ngjashme

Back to top button