Ligji i ri i DSK-së nuk plotëson kërkesat e BE-së, sërish pritet të përgjohet në Maqedoni!

Sektori civil të premten ka pasur debat në temën: “Reformat e ndjekjes së përgjimeve, ndryshime thelbësore apo kozmetike?” ku u përfundua se ligji i ri i DSK-së i cili parashihet me Planin 3-6-9 nuk plotëson kërkesat e Bashkimit Evropian dhe me të njëjtin do të përgjohet edhe më tej në Maqedoni, raporton Portalb.mk.

Përfaqësuesit e OJQ-vë “Zenit”, Aleksandar Nikollov, Institutit për Politika Evropiane, Simonida Kacarska dhe Institutit të Shkencave Sociale dhe Humane, Gordan Georgiev thonë se formimi i agjencisë së re ATO që parashihet me ligjin e DSK-së do të krijojë një qendër të re të fuqisë nga ku do të dirigjohen përgjimet.

Përgjime

“Ajo çfarë na brengos se propozim ligjet nuk iu përgjigjen rekomandimeve në kuptim të asaj se duhet të anashkalohet qasja e drejtpërdrejt të institucioneve shtetërore në këto reforma, si p.sh. sistemi i telekomunikimit. Me ligjin e ri krijohet një qendër e re e kontrollit të sistemit të përgjimeve, që në vend të DSK tash do të quhet ATO e cila sërish do t’i ketë të gjitha bisedat dhe më pas të njëjtat do t’ua përcjellin institucioneve tjera. Kjo nuk është në kuadër të rekomandimeve të BE-së dhe që etiketohen si prioritete reformuese. Aty thuhet se në përgjime do të ketë qasje vetëm me urdhër gjyqësor. Frikësohemi se nuk do të kapet thelbi i reformave kurse nga ana tjetër do të marrim një sistem të ri të kontrollit të shërbimeve sekrete”, tha Aleksandar Nikollov.

Ndërkaq Simonida Kacarska vlerësoi se institucionet e reja nuk janë zgjidhje për reformat sepse ato nxjerrin probleme në të ardhmen.

“Në këtë drejtim duhet të vendoset ekuilibër ndërmjet fuqisë së ATO-s dhe nga ana tjetër të bëjmë kontroll ndaj saj nëpërmjet Kuvendit. Nëse do të arrijmë ta vëmë në praktikë këtë mënyrë të funskionimit do të ishte magji. Institucionet e reja nuk janë gjithmonë zgjidhje, do të shohim se sa probleme do të ketë pas zbatimit të këtij ligji”, tha Kacarska.

Ndërkaq Gordan Georgiev vlerësoi se është me ATO-n nënkuptohet se institucionet të cila duhet të reformohen, do ta reformojnë veten.

“Tash del se institucionet të cilat duhet të reformohen, po ato institucione janë duke i zhvilluar reforma për veten e tyre. Përfshirja e agjencisë ATO nuk është zgjidhje ideale”, tha Georgiev.

cats
Debati: “Reformat e ndjekjes së përgjimeve, ndryshime thelbësore apo kozmetike?”

A po shkon realizimi i reformave në drejtim të gabuar?

Meqë OJQ-të vlerësuan se ligji i ri i DSK-së nuk është zgjidhje dhe sërish pritet të përgjohet në Maqedoni, përfaqësuesja e Institutit të Politikave Evropiane, Simonida Kacarska tha se eksperti Rejnhard Pribe nuk jep receta, por vetëm rekomandime prandaj nuk duhet të shpejtohet në realizimin e reformave.

“Është e rëndësishme që të mos shpejtohet në realizimin e reformave. Duke e pasur parasysh se sa prapa shkuam nëpërmjet tyre, është e rëndësishme se me çfarë hapa shkojmë drejt së ardhmes. Në këtë drejtim nuk ka legjislaturë evropiane strikte, prandaj edhe Rejhard Pribe u desh të testojë nevojën e realizimit të këtyre reformave. Mirëpo Pribe jep vetëm rekomandime, e jo recetë se si duhet të zgjidhen problemet”, tha Kacarska.

Gordan Georgiev nga Instituti i Shkencave Sociale dhe Humane nuk dëshiroi të predikojë se në këtë mënyrë se si po zhvillohen reformat a po shkojnë në drejtim të gabuar, por përsëriti edhe njëherë kërkesën se pjesë e reformave të DSK-së duhet të jetë edhe sektori civil.

“Nuk duam të predikojmë se si do të realizohen këto reforma në këtë situatë, sepse qëllimi ynë tash për tash është të bëhen si duhet që më pas të mos kemi probleme. Por duhet të bëhet edhe demonopolizim të këtyre reformave dhe të përfshihet edhe sektori civil”, tha Georgiev.

Nga ana tjetër, pjesëtari i “Zenit”, Aleksandar Nikollov tha se në ligjin për DSK është dashur të përfshihet edhe Drejtoria e Mbrojtjes së të Dhënave Personale dhe Avokati i Popullit.

“Kërkojmë që miratimin e kërkesës për përgjim të bisedave të ketë qasje edhe Drejtoria e Mbrojtjes së të Dhënave Personale dhe Avokati i Popullit. Kjo kërkohet që të kontrollohet ndikimi mbi sistemin e përgjimit dhe të sigurojë se me atë sistem nuk po bëhet shkelje e të drejtave të njeriut. Problem është edhe aparatura, se me atë aparaturë që ka funksionuar DSK me atë është duke funksionuar edhe ATO”, tha Nikollov.

Përndryshe, debati: “Reforma në ndjekjen e komunikimeve, ndryshime thelbësore apo kozmetike?” u zhvillua nga Instituti i Shkencave Sociale dhe Humane dhe Qendra për Demokraci. Qëllimi i këtij debati ishte që të shqyrtohen mënyrat se si po zhvillohen reformat në Drejtorinë për Siguri dhe Kundërzbulim.

Ndryshe, reformat në DSK parashohin miratim të ligjit që të hënën pritet t’i dorëzohet Kuvendit të Maqedonisë. Me ligjin e ri të DSK-së parashihet që Neni kontrovers nga ligji për ndjekje të komunikimeve të bëhet neni 60 nga ligji i ri për ndjekje të komunikimeve. Kjo bëhet pasi që duhet të rregullohet përgjimi dhe të mbrohet nga keqpërdorimet, në  bazë të planit të rekomandimeve të Pribesë në lidhje me ndjekjen e komunikimeve nga vitit 2015, të rikonfirmuar në raportin e dytë të vitit 2017. Neni 60 nga ligji i ri për komunikimi, në pjesën më të madhe është si neni 175, me dispozita të njëjta, ndërkaq çështja e re është precizimi në të dhe formimin e Agjencisë Tekniko – Operative (ATO).

Ligji i ri për komunikime dhe ndryshimet e ligjit për komunikime elektronike, ashtu siç është e paraparë duhet të hyjnë në fuqi deri në nëntor të vitit 2018.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button