Ivanoviç: Zyra në veri, provokim i hapur

Sekretari shtetëror në Ministrinë serbe për Kosovën, Oliver Ivanoviç ka deklaruar se ngritja e Zyrës Administrative në veri të Mitrovicës është një tjetër provokim dhe përpjekje për të ndryshuar gjendjen në terren në prag të dialogut Beograd-Prishtinë.

“Nuk do të ketë asnjë reagim të veçantë të qeverisë së Serbisë, përveç gjykimit dhe shpalljes së këtij akti një provokim flagrant që nuk ka për synim qetësimin e situatës, por shqetësimin e banorëve serbë dhe krijimin e një situate ku janë të mundshme incidentet”, ka thënë Ivanoviç, sipas “REL”.

Qeveria e Kosovës miratoi një ditë më parë vendimin për themelimin e Zyrës Administrative në veri të Mitrovicës, e cila thuhet se do të ofrojë të
gjitha shërbimet për qytetarët e kësaj pjese të Kosovës dhe do të koordinojë angazhimet dhe investimet qeveritare në të.

“Themelimi i zyrës është një hap tjetër për të treguar përkushtimin tonë për zhvillimin e veriut. Qeveria shpenzon 4 milionë euro për veriun, për taksa, zjarrfikës, mirëmbajtje, etj. Duam të shohim që fondet e qeverisë u ofrohen qytetarëve për të plotësuar nevojat, për këtë qëllim kemi marrë vendimin për të krijuar këtë zyrë”, deklaroi të mërkurën kryeministri Hashim Thaçi.

Krijimi i kësaj zyre administrative për veriun e Mitrovicës i paraprin kështu krijimit të komunës me shumicë serbe sipas planit të Ahtisarit dhe njëkohësisht zbeh më tej rolin e UNMIK-ut në këtë zonë.

Lajme të ngjashme

Back to top button