USHT: Studentët do të vlerësojnë sa punojnë profesorët

Në Universitetin Shtetëror të Tetovës, filloi evaluimi i brendshëm, me anë të së cilit studentët e këtij Universiteti do ta vlerësojnë punën dhe sjelljen e të gjithë mësimdhënësve dhe asistentëve në të gjithë fakultetet, programet studimore, institutet dhe njësitë tjera akademike të USHT-së. 

Këtë, sot e deklaroi Prorektori për shkencë i USHT-së, Doc. dr. Vullnet Ameti. 

“Nevoja për të analizuar, përparuar dhe modernizuar procesin mësimor-shkencor, njëkohësisht do ta rrit transparencën e këtij institucioni para studentëve, të cilët kanë mundësi t’i japin vlerësimet e tyre për stafin akademik dhe shërbimet administrative që atyre u ofrohen” tha Ameti.

Kryetari i Komisionit qendror të USHT-së për Evaluimin e brendshëm, Prof. dr. Arbër Çeliku, njoftoi opinionin për punën e Komisionit Qendror për evaluim, atyre të fakulteteve, si dhe për mënyrën e kryerjes së këtij evaluimi. 

“Edhe në komisionin qendror, por edhe në ato të fakulteteve, përpos stafit akademik janë të përfshirë edhe studentët, ndërsa komisionet e evaluimit nëpër fakultete, do të punojnë në atë mënyrë, që asnjë mësimdhënës nuk do të jetë në komisionin që do të bëjë evaluimin në fakultetin ku është i angazhuar. E tërë kjo bëhet me qëllim të korrektësisë dhe transparencës sa më të madhe në këtë proces kaq të rëndësishëm për universitetin tonë” tha Arbër Çeliku. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button