Houston nuk njeh kundërshtarë, Boston rikthehet te fitorja (Video)
Lideri aktual i Konferencës së Perëndimit, Houston Rockets ka vazhduar me fitore në NBA.
Të kuqtë nga Teksasi kanë marrë edhe fitoren e 11-të radhazi, derisa ‘viktima’ e radhës ishte Charlotte Hornets që e mposhti me rezultat 108-96, transmeton Telegrafi.com.
Fundori fantastik, Chris Paul ishte më efikasi në këtë sfidë me 31 pikë të shënuara, 11 asistime e shtatë kërcime.
Paul u ndihmua edhe nga James Harden që pati një tjetër paraqitje të mirë me 21 pikë, tetë asistime e katër kërcime.
Pikë dyshifrore për Rockets realizuan edhe Eric Gordon me 17 dhe Ariza që shtoi 13 të tjera.
Qendra Dwight Howard ishte më efikasi tek Charlotte me 26 pikë e 18 kërcime por që ishin të pamjaftueshme për fitore.
Pas humbjes befasuese ndaj Chicago Bulls, Boston Celtics është rikthyer tek fitoret.
Në përballje me Denver Nuggets, Celtics kanë triumfuar me gjashtë pikë epërsi 124-118.
Kyrie Irving me 33 pikë e shtatë asistime udhëhoqi Bostonin, ndërsa u ndihmua edhe nga dyshja Brown e Tatum që realizuan 26 respektivisht 15 pikë.