Plani ri urbanistik i Tiranës

Tirana, sipas planit të ri urbanistik  nuk do të ketë vetëm një qendër, por edhe 7 të tilla periferike. E planifikuar për një popullsi në rritje deri në 1 milion e 300 mijë banorë, ajo tashmë parashikohet të ketë 5 unaza dhe tre parqe të tjera si Paskuqan, Sauk dhe Farkë, përveç Parkut të Liqenit dhe Parkut të Dajtit. 

Plani i ri urbanistik parashikon një Tiranë policentrike ku poli i saj juglindor që i përket Qytetit Studenti, përvec arsimit të pasurohet edhe me funksione të tjera. Poli që përfshin Liqenin Artificial sugjerohet të mbetet  thjesht rekreativ me shërbime të tjera për argëtim. 

Në zonën e ish-fushës së aviacionit plani parashikon shtimin e bizneseve, ndërkohë që në kombinat parashikohet Tirana Olimpike, me funksione sportive. 

Gjatë prezantimit, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha tha se mbajtëm premtimin duke bërë gati planin rregullues në harkun kohor prej 10 muajsh 

“Tirana ka dhënë shenjat e lodhjes me një bllokim prej disa vitesh si rezultat i një politike të konfrontimit dhe aspak miqësore me biznesin dhe qytetarët. Ne shpresojmë që një nga instrumentat tona për të kapërcyer këtë ngerç dhe për të katalizuar investimet dhe larminë e tyre në qytet dhe rajon, të bazohen në këtë vizion që po ndërtojmë dhe shpalosim sot së bashku. Mungesa e planit dhe planifikimit ka thelluar edhe pabarazinë në zhvillim. Jemi dëshmitarë të një modeli të dështuar që ka bërë që një pjesë e pronave të fitojnë vlerë përmes një procesi planifikues selektiv dhe një pjesë tjetër të humbasë vlerë pikërisht për të njëjtën arsye. Kjo praktikë do të marrë fund”, tha kreu i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha. 

Plani i përgjithshëm urbanistik përcakton rregullat se si do të zhvillohet Tirana në vitet e ardhshme duke përcaktuar zonat ku do të ndërtohet, distancat dhe lartësitë e objekteve.

Banorët në protestë për ujë 

Ndërkohë që prezantohej plani i përgjithshem urbanistik, banorë të  zonës së Shkozës kanë protestuar për mungesën e ujit të pijshëm. Ata ankohen se kanë mbi katër muaj që nuk furnziohen me ujë, ndërkohë që e paguajnë rregullisht atë. 

Kryetari i grupit të këshilltarëve socialistë, Aldrin Dalipi ka dëgjuar ankesat e tyre dhe u ka premtuar se shqetësimine tyre do ta ngrejë në  mbledhjen e radhës të Këshillit Bashkiak. 

“Kam detyrë t’i bëj thirrje, bashkë me ju sot, kryetarit të bashkisë të vijë të zgjidhë këtë problem, të dalë nga sallat dhe maketet, të vijë t’u kthehet qytetarëve, t’u kthejë shërbimet qytetarëve që paguajnë taksat”, deklaroi para banorëe zoti Dalipi.

Marrë nga Top channel

Lajme të ngjashme

Back to top button