Paralajmërimi i Visar Ymerit: Lëvizja Vetëvendosje mund të ndahet në dy pjesë

Kryetari i LVV-së, në një intervistë për emisionin ‘Rubikon’, për herë të parë ka folur për ndarjen e partisë, nëse klima e tensioneve do të vazhdojë. Udhëheqësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, ka komentuar për mospajtimet dhe dallimet brenda partisë së tij, që u zbuluan pas shpërthimit të një skandali të brendshëm në VV.

Ai ka thënë se Vetëvendosje edhe mund të ndahet, nëse nuk zgjidhen mosmarrëveshjet ndërmjet anëtarëve dhe aktivistëve të saj.

“Unë nuk dua të spekuloj se cili do të jetë fundi. Si kryetar i VV, dhe si aktivist, kryekëput jam i angazhuar në gjetjen e rrugës përpara. Por, nuk mund të garantoj se do të jem, ose do të jemi të suksesshëm”, është shprehur Ymeri në “Rubikon”.

“Nuk mund ta garantoj, sepse nuk varet prej meje. Po të varej prej meje, do të garantoja se zgjidhja është gati. Por, s’varet vetëm prej meje, por edhe prej personave të tjerë, të cilët kanë peshë të caktuar politike brenda VV, gatishmërinë e të cilëve s’kam arritur ta testoj se fundmi”, ka thënë ai.

“Mendoj që njerëzit të cilët kanë pakënaqësi me atë se çfarë po ndodh, nëse e shohin se kjo do të instalohet si precedent dhe si metodë, natyrisht se nuk do ta shohin veten brenda VV’së”, ka theksuar Ymeri, raporton Express.

Ai ka pranuar se mundësia e ndarjes së partisë është reale.

“Ti qëndron në një subjekt përderisa pajtohesh me konceptin dhe programin. Nuk mund të qëndrosh si trup i huaj ose mish i egër brenda një subjekti. Konsideroj se kjo do të mund ta prodhonte një rezultat të tillë”, është shprehur ai.

“Nuk mund ta përjashtoj (këtë rezultat), sepse një problem i tillë ose do të zgjidhet, ose do ta ketë një rezultat të tillë, i cili do të jetë largimi i njerëzve të caktuar nga VV, dhe dobësimi i VV”, ka thënë Ymeri.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button