Kush i kurdis lojërat e futbollit në Maqedoni?

Trukimet e ndeshjeve futbollistike janë temë aktuale në gjithë botën, por përkatësisht në Maqedoni problemi më serioz qëndron tek Federata e futbollit. Rasti i humbjes nga Andora, fuzioni i ekipit të Vardarit dhe Miravcit për të shpëtuar këtë të fundit nga rënia nga liga, loja me Luksemburgun, të gjitha këto japin përshtypjen se edhe në Maqedoni ndiqet praktika e klubeve botërore në të cilat deri më tani janë zbuluar shumë skandale, madje ka pasur dhe dënime të majme. Indikativ është edhe fakti se kryetari i FFM-së Haxhi Ristevski njihet nga skandalet e shumta, por ai edhe sot assesi të shkarkohet nga pozita e tij.

“Si futbollist nuk mund ta kuptoj se si Maqedonia që në vitin 2004 dispononte me një gjeneratë shumë të mirë të futbollistëve, ta humb ndeshjen me Andorën, shtet i cili në ekipin e tyre luanin futbollistë joprofesional, qe ndërkohë ishin punonjës privat. Për Andorën fitorja ndaj Maqedonisë ishte fitorja e parë historike. Ajo ndeshje është një shembull i mirë që të kuptojmë se montimet nuk ekzistojnë vetëm në nivel ndërkombëtar por edhe në këtë nacional. Sa i përket ndeshjes së reprezentacionit tonë me Luksemburgun para 3 muajve që në pjesën e parë kishim epërsi 0:1 dhe në fund e humbëm ndeshjen me rezultat prej 2-1, këtu nuk besoj që ka pasur kurdisje të ndeshjes nga fakti se Luksemburgu është shtet i cili kohëve të fundit kanë zhvilluar futbollin”, tha për Portalb ish futbollisti i Slloga Jugomagnat dhe klubeve tjera evropiane, Arben Nuhiu.

Ndryshe nga futbollistët, tifozët dhe komentuesit mendojnë se futbolli në Maqedoni është kthyer në biznes.
“Në futboll sot çka nuk po ndodh, duhet ta ndryshojmë emrin tash ta quajmë biznes-liga. Si në gjithë botën ashtu edhe në Maqedoni ka ndeshje të kurdisura, edhe atë me të madhe, sepse e fundja tash futbollistët paguhen biznesi i ndeshjeve të kurdisura. Kemi parë raste të cilat shpesh na humbin para syve” deklaroi njëri nga tifozët e flaktë të ekipit “Shkupi”.

“Trukimet e ndeshjeve futbollistike janë temë aktuale në gjithë botën.  As Maqedonia nuk mund të mbetet imun nga këto dukuri dhe në të kaluarën kemi pasur rast të dëshmuar për ndeshje të trukuar të Pobedës me Pjuig në garat ndërkombëtare. Kjo dukuri e kurdisjeve të ndeshjeve në kampionatin vendor nuk është shumë e madhe pasi ndeshjet tona nuk janë në bastore.  Mund të ketë ndeshje të trukuara edhe atë pa dijeninë e drejtuesve të klubeve dhe ato i bëjnë vetë futbollistët dhe padyshim që ky model është marrë nga praktika e shteteve dhe klubeve më të zhvilluara evropiane. Kështu në fund viktima e gjithë këtij procesi mbetet të jenë  klubet ose federatat më të vogla dhe siç thotë një fjalë popullore “peshku i madh e han peshkun e vogël”, deklaroi Safet Ademi gazetar dhe komentator sportiv në Alsat-M.

Ish zv/trajneri i reprezentacionit të Maqedonisë, Nexhat Shabani thotë se konspiracionet e futbollit ekzistojnë sepse futbolli tani më nuk është imun nga biznesi që zhvillohet gjatë ndeshjeve futbollistike. 

“Zakonisht viktimë e krejt këtyre montimeve të nivelit botëror janë shtetet apo ekipet më pak të zhvilluara, sepse te këto shtete më lehtë depërtohet. Shihni çfarë ndodhi në Spanjë në përfundim të kampionatit, përkatësisht te ekipet që luftonin për të mbijetuar në ligë dhe do të vëreni disa nga metodat e kurdisjes së ndeshjeve, sidomos ekipi i Zaragozës. Në Maqedoni dallohet rasti i fuzionit të ekipit të Vardarit dhe Miravcit ku Vardari mbijetoi në ligë vetëm pasi u bashkua me Miravcin brenda natës dhe vitin e ardhshëm bëhet kampion. Kjo lejon hapësira për komentim të dyshimtë”, deklaroi ish zv/trajneri i reprezentacionit të Maqedonisë, Nexhat Shabani.

Ndërkaq nga FFM-ja, për Portalb pranuan se hasen me probleme të trukimeve por më tej nuk deshën të komentojnë.

“Normal që ka probleme në futbollin e Maqedonisë dhe për atë shkak mund të ndodh gjithçka, sepse s’ka kontroll të mjaftueshëm të situatës, por unë do të refuzoj të flas më tepër me që edhe vet tash jam anëtar i Federatës futbollit të Maqedonisë”, deklaroi Aco Shac anëtar i FFM-së dhe ish refer i Jugosllavisë së atëhershme.

Në FFM është formuar një Këshill iniciator për të shkarkuar  Haxhi-Ristevskin. Dhjetë shoqata komunale kanë nënshkruar ndërsa dhe gjashtë të tjera i përkrahin ato për të mbajtur një seancë të jashtëzakonshme më 23 maj ku do të dalin kundër  Haxhi-Ristevskit.

“Ne jem në kontakte të vazhdueshme me UEFA dhe FIFA, Risteskin nuk e rrëzojmë se duam ne, por se duhet shpëtuar futbolli në vend” thonë nga Këshilli iniciues.  /Portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button