Shqipëria për nëntë muajt nga turizmi ka fituar 1,3 miliardë euro

Ekonomia shqiptare për nëntë muajt e parë realizoi mbi 1,3 miliardë euro të ardhura bruto nga turizmi. Të dhënat zyrtare nga Banka e Shqipërisë tregojnë se turizmi vijon të rritet me ritme dyshifrore, duke qenë një nga sektorët më dinamikë të ekonomisë gjatë dy viteve të fundit.

“Për periudhën janar-shtator të këtij viti, të ardhurat nga turizmi u rritën 13 për qind, nga 1.16 miliardë euro që ishin në nëntëmujorin e vitit të kaluar në 1.31 miliardë euro për nëntë mujorin e këtij viti”, thuhet në kumtesën e Bankës qendrore të Shqipërisë.

Ксамил Албанија.jpg

Sipas Bankës së Shqipërisë, vetëm në tremujorin e tretë të vitit, i cili përbën edhe pikun e sezonit turistik, të huajt shpenzuan mbi 588 milionë euro në Shqipëri për turizëm apo udhëtime të ndryshme.

Por rritja e turizmit nuk është vetëm në kahun hyrës. Edhe shqiptarët janë duke shpenzuar më shumë në udhëtime jashtë shtetit. Sipas Bankës së Shqipërisë në nëntë muajt e parë të vitit, shpenzimet e shtetasve shqiptarë për udhëtime jashtë ishin 973 milionë euro.

Nëse krahasohen dy treguesit, atëherë del se neto i turizmit për ekonominë shqiptare, pra diferenca mes të ardhurave që hyjnë nga jashtë dhe shpenzimeve që shqiptarët bëjnë në vendet e tjera të jetë rreth 340 milionë euro, çka sërish mbetet një nga burimet më të rëndësishme të valutës për ekonominë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button