Kuçi: Kosova nuk është oazë stërvitore për askënd

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi përgënjeshtroi deklaratat e presidentit sirian, Bashar al Assad, për ekzistencën e kampeve stërvitore të rebelëve sirianë në Kosovë.

Kuçi deklaroi se në Kosovë nuk ka kampe të tilla, duke theksuar se dhuna është krijuar në Siri dhe duhet të zgjidhet në Siri.

“Është një deklaratë e pabazë. Siç ka thënë edhe ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaaj, Kosova mbështet lëvizjet demokratike kudo në botë, por Kosova nuk është një oazë ku mund të stërviten njerëzit për çfarëdo qëllimi tjetër”, tha Kuçi, raporton Koha.

“Kosova i ka forcat e veta të rregullta, Forcën e Sigurisë dhe Policinë e Kosovës; Kosova e ka një prezencë ndërkombëtare, KFOR-in dhe EULEX-in, që janë përgjegjës për siguri. Kosova krijon paqe dhe stabilitet, nuk prodhon kriza”, ka thënë ndër të tjera Kuçi një ditë pasi presidenti sirian duke u bazuar në trillimet e medieve serbo-ruse kritikoi Kosovën për gjoja stërvitje të rebelëve të opozitës siriane për të rrëzuar regjimin e tij. /Telegrafi/

Lajme të ngjashme

Back to top button