Zaev: Janë të mundshme zgjidhjet për problemin me Greqinë dhe për integrimin në NATO dhe BE

Qeveria e Republikës së Maqedonisë po krijon kushte për ndërtimin e konsensusit nacional me të gjitha subjektet kyçe dhe vendimmarrëse politike: me presidentin e vendit dhe me opozitën, për përshpejtim të integrimit tonë në NATO, theksoi sot kryeministri Zoran Zaev, i cili foli në ngjarjen në organizim të Këshillit euro-atlantik të Maqedonisë.

“Njëherit, jemi të përkushtuar në gjetjen e mënyrës që të tejkalohet problemi që e ka Republika e Greqisë me emrin e shtetit tonë. Besojmë se kjo është e mundshme përmes qasjes inkluzive brenda vendit dhe me ndërtim të atmosferës pozitive të fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimit me Republikën e Greqisë”, theksoi Zaev.

Prandaj, potencoi kryeministri i Maqedonisë, me të drejtë presim që Republika e Maqedonisë të jetë vendi i ardhshëm anëtar i aleancës, ndërsa gjatë gjysmës së parë të vitit të ardhshëm të marrim edhe ftesë për fillim të negociatave me BE-në.

Qytetarët e Maqedonisë, siç theksoi, janë të bindur se Republika e Maqedonisë i meriton perspektivat euroatlantike.

“Mbi 75 për qind e të gjithë qytetarëve tanë dëshirojnë anëtarësim në BE dhe NATO. Qeveria, me mbështetje nga qytetarët dhe nga partnerët tanë ndërkombëtarë po e trason rrugën e shtetit tonë drejt NATO-s”, tha Zaev.

Republika e Maqedonisë, shtoi ai, çdoherë do të japë kontribut pozitiv në çdo lloj të nismave të cilat do të sjellin bashkëpunim më të gjerë dhe më të mirë në rajon.

Zaev foli në konferencën përfundimtare për projektin “Përforcimi i dialogut rinor për promovim të proceseve demokratike në frymën e integrimeve euro-atlantike” në organizim të Këshillit euro-atlantik të Maqedonisë, me mbështetje të Civika Mobilitas.

“Rreth 60 për qind e të rinjve të përfshirë në hulumtim, konsiderojnë se mundësitë për ta do të shtohen me realizimin e këtij qëllimi. Njëkohësisht, treguesit e tjerë nga ky hulumtim tregojnë për faktin se të rinjtë, nuk janë mjaftueshëm të përfshirë në proceset lidhur me integrimet euro-atlantike”, tha kryeministri duke potencuar se tani është koha që kjo të ndryshojë.

Џафери Евроатланстки совет

Kryetari i  Kuvendit, Talat Xhaferi theksoi se Maqedonia ka kontest për të cilin nuk hyri në NATO në vitin 2008 dhe se politikanët duhet ta zgjidhin, me çka janë të obliguar nga vullneti dhe përcaktimi i qytetarëve.

“Jam i bindur se Qeveria aktuale dhe kjo shumicë parlamentare, mjaft seriozisht, edhe unë do të thoja me vendosshmëri politike, e filloi procesin me të cilin kthehemi sërish në rrugën e integrimeve euro-atlantike”, tha Xhaferi.

Theksoi takimin për anëtarësim në NATO dhe takimin e ekipeve negociuese për kontestin me emrin këtë javë në Bruksel.

“Prapa këtyre trendeve pozitive, qëndron vetëm një vegël dhe kjo është dialogu. Dialogu në plan të brendshëm, mes subjekteve politike, dialog me opinionin e ekspertëve, me sektorin joqeveritar, dialog dhe transparencë me mediumet”, tha Xhaferi. Shtoi se në të njëjtën kohë janë hapur proceset e dialogut me fqinjët, ndërkaq ka filluar edhe, siç tha, dialogu i sinqertë dhe i hapur me Brukselin dhe Uashigntonin, partnerët tanë strategjik.

Евроатланстки совет

Këshilli euro-atlantik i Maqedonisë, i cili këtë vit shënon 20 vite të themelimit, siç tha kryetari i tij, Ismet Ramadani është organizatë joqeveritare, por nëse është Qeveria pro-NATO-s, ata janë edhe organizatë proqeveritare. “Ne jemi vendosur si organizatë opozitare, por në të njëjtën kohë mbështesim dhe kritikojmë”, tha Ramadani.

Mundësia e cila tani po na hapet pas 10 viteve nga Samiti i NATO-s në Bukuresht, sipas Ramadanit, duhet të shfrytëzohet. Theksoi se Qeveria e re kësaj radhe ka mbështetje, por edhe se Maqedonia duhet të ketë “zero” probleme në marrëdhëniet ndëretnike, “zero” probleme me fqinjët tanë dhe “zero” tolerancë për korrupsionin dhe krimin.

Në ngjarjen e Këshillit euro-atlantik të Maqedonisë sot morën pjesë edhe disa ambasadorë, anëtarë të kësaj organizate, si dhje përfaqësues të organizatës nga Serbia, Kosova dhe Bullgaria dhe studentë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button