Shkëndija po përgatit listën e largimeve dhe përforcimeve

Tani kur ka përfunduar sezoni vjeshtor në kampionatin e Ligës së Parë të Maqedonisë në futboll dhe Shkëndija është shpallur kampione e gjysmë sezonit, të gjithë sytë janë nga ky klub për të parë se kush do të jenë përforcimet gjatë afatit kalimtar të janarit dhe kush janë ata që do të largohen nga klubi.

Padyshim se fliten emra të shumë të lojtarëve që në janar mund të largohen nga klubi, por deri më tani asgjë nuk është zyrtarizuar, pasi të gjithë futbollistët janë lënë të lirë deri më 3 janar, kur edhe trajneri Qatip Osmani do të bëjë grumbullimin e parë për të filluar përgatitjet për sezonin pranveror.

Sipas asaj që është parë në sezonin vjeshtor, duke marrë parasysh minutazhin dhe faktin që trajneri Osmani në ndeshjet e fundit edhe nuk i ka përfshirë në 18-she, me shumë gjasa pritet të largohen Ivan Çeikoviç dhe Xhelil Asani, por njëkohësisht në këtë listë mundë të futet edhe Besart Abdurahimi që nuk gjente hapësira në formacion.

Së fundmi pas një mungese të gjatë shkaku i lëndimit, jashtë ekipit kishte mbetur edhe Stefan Vujçiçi, të cilit skadon kontrata më 15 janar, ndërsa deri në këtë moment nga skuadra tetovare nuk ka ndonjë paralajmërim për vazhdim të bashkëpunimit.

“Jemi të vetëdijshëm se çdo afat kalimtar Shkëndija është temë e preferuar dhe mediat apo opinioni ‘sjellin’ shumë futbollistë në skuadrën tonë. Por ne tanimë kemi ndërtuar një traditë vite me radhë për të mos komentuar spekulimet dhe e njëjta do të vazhdohet edhe në të ardhmen. Stafi teknik dhe drejtuesit ashtu si në të kaluarën janë duke analizuar ecurinë e skuadrës dhe pas kësaj do të dalin me vendime për përforcime apo largime eventuale. Deri në këtë moment nuk ka ndonjë lëvizje, ndërsa si zakonisht kur do të ketë zyrtarizim ne në kohë reale e bëjmë publike”, shprehen për PORTALB.mk, nga zyra për marrëdhënie me publik të KF Shkëndija.

Të përkujtojmë se KF Shkëndija këtë sezon e ka filluar në mënyrën më të mirë të mundshme, nga 18 ndeshja ka fituar 15, ka dy disfata dhe një herë ka barazuar, duke u renditur e para në tabelë me 46 pikë të grumbulluara. /Portalb.mk/

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button