Recension për shfaqjen teatrale ‘Maksi dhe Kimi’

Këto ditë të ftohta dimri, më saktë të shtunën  mbrëma, në qytetin e Kumanovës ndodhi edhe një ngjarje e bukur kulturore. Ishte shfaqja teatrale “ Maksi dhe Kimi “ vepër dramatike nga autori kosovar Haqif Mulliqi, e realizuar nga regjisori kumanovar Nehat Memeti ,  në Produksion  të  Teatrit  “Talia” – Kumanovë , Projekt i  mbështetur finansiarisht nga Ministria e kulturës së Republikës së Maqedonisë. Premiera e shfaqjes u mbajt në Teatrin e qytetit Të Kumanovës  me datë 09.12.2017, ku ishin të pranishëm një numër i konsiderueshëm i dashamirëve të artit skenik. Regjisori Nehat Memeti, pas realizimit të suksesëshëm  të komedisë me titull ”Kripë deti ‘’ të autorit bullgar Emill Bonev në Teatrin e Tetovës (e cila shfaqje në Festivalin e Teatrove shqiptare në Dibër mori çmimin: shfaqja më e mirë në Festival, kësaj radhe u përcaktua për tekstin “Maksi dhe Kimi“ të dramaturgut të shquar shqiptar Haqif Mulliqi.

Në veprën origjinale të Mulliqit, bëhet fjalë për dy personazhe specifike, Maksin dhe Kimin, përkatësisht për takimin e tyre pas 21 vjetësh, me ç’rast evokohen kujtimet e tyre ‘miqësore’nga e kaluara e dikurshme, ku Maksi i nxitur nga xhelozia ndaj Kimit, ia kishte vrarë atij të dashurën që e adhuronte fortë.

Mirëpo, si kontarpunkt të kësaj storjeje, Regjisori  Mehmeti bën një ndërhyrje kirurgjikale në kontekstin përmbajtësor të teksit, duke e brumosur veprën me nuance psikoanalitike, me ç’rast personazhin e Maksit e shndërron në një përsonazh të imagjinuar, që në fakt paraqet personifikim të brejtjes së ndërgjegjës së lënduar të Kimit.

Në këto situata të tensionuara psiko-morale, projektohet karakteri labil i Kimit, i cili është i gozhduar në kryqin e subkoshiencës  dhe inferioritetit të qenies së tij të dashuruar marrëzisht në të dashurën e tij Mellani. Shikuar nga prizmi psikologjist i Regjisorit, Kimi vuan nga dukuria e Personalitetit të dyfishtë (Unit të ndarë!), që manifestohet me luftën e brendshme në mes të Egos dhe Alter egos së tij. Ndërkaq që e gjithë kjo përleshje brendapersonale si përfundim ka vdekjen e gjysmëqenies së Personalitetit të tij (Maksit!)

Gjatë kësaj stuhie të furishme emocionale, ku ndërgjegja njerëzore e nxjerr veten e saj para bangës akuzuese, Regjisori Nehat Mehmeti i fut në funksion dialektik disa kundërshti dhe kategori universale siç janë : dashuria vis a vis urrejtjes, e mira vis a vis të keqes, realja karshi fiktives, krimi përballë ndëshkimit, e bukura ndaj të shëmtuarës etj. Me anë të kësaj ndërhyrjeje dramaturgjike vepra në fjalë merr  strukturën e një psikodrame të shkëlqyer, e cila transformohet në një substrat universal me efekt të heshtur katarsik! Në këtë mënyrë, momentet e lartëpërmendura, së bashku me situatat tundosëse të aktorëve, kontribuan që shfaqja në fjalë ta mbajë publikun non – stop në një tensioni dramatik, duke e bërë ate interesante deri në përfundim.

Regjisori, me një qasje vërtetë filozofike, e përfundon shfaqjen me një poentë post-strukturaliste , të ngjeshur me një fund të hapur, ku publikut i jepet liria për ta kanalizuar vet vijimin e ngjarjes dhe përfundimin e saj. Në këtë mënyrë, edhe spektatori në sale bëhej pjesë e strukturës aktoreske, pa qenë i vetëdijshëm për këtë.

Në këtë dramë, në rolin e Kimit ishte Ismail Kasumi, kurse në ate të Maksit Musa Isufi, të cilët treguan një  interpretim solid e bindës, duke dëshmuar se me sukses i kanë realizuar kërkesat e Regjisorit dhe njëherit ish profesorit të tyre Nehat Mehmetit. Përndryshe, Skenografia ishte e Edin Azizit, Kostumografia nga Bjondina Abduli, Muzika e Alisan Mehmeti-çuni, ndërkaq Graphics Design ebëri Argjent Mehmeti. Për fund, le të shpresojmë që së shpejti të shohim edhe ndonjë çfaqje tjetër kulturore të këtij niveli.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button