Menduh Thaçi takoi kryeministrin Berisha

Sot, në Tiranë kryeministri i Republikës së Maqedonisë, Berisha priti në takim zyrtar kryetarin e Partisë demokratike shqiptare, Menduh Thaçi, thuhet në komunikatën e PDSH-së. 

Në takim u diskutuan zhvillimet e fundit në Maqedoni, me çka Berisha theksoi rëndësinë e jashtëzakonshme që ka implementimi i plotë i kërkesave të marrëveshjes së Ohrit, si kusht themelor për stabilitetin, bashkëjetesën dhe bashkëpunimin midis komuniteteve në Maqedoni, si dhe në procesin e zhvillimit të këtij vendi si një shoqëri multietnike. 

Në lidhje me vrasjen e pesëfishtë në Smillkovc, në këtë takim u ripohua qëndrimi në mbështetje të plotë të të gjitha përpjekjeve për zbardhjen e këtij krimi të shëmtuar dhe vendosjen e autorit apo autorëve të tij para drejtësisë, por u theksua edhe një herë shqetësimi se çdo lloj përpjekjeje dhe spekulimi, duke i veshur këtij krimi të shëmtuar shkaqe etnike apo të tjera, nuk i shërben aspak paqes e stabilitetit dhe një shoqërie të vërtetë multietnike, e cila ka si objektiv madhor integrimet euroatlantike. 

Në këtë kontekst, çdo lloj fryrje e fibrës nacionaliste maqedonase nuk  kontribuon në asnjë zgjidhje të situatës dhe ecjen përpara me këto objektiva madhore, thuhet mes tjerash në komunikatë. 

Kryeministri Berisha vlerësoi rolin konstruktiv të forcave politike shqiptare në Maqedoni, në shërbim të qetësimit të situatës dhe promovimit të bashkëpunimit mes komuniteteve./Portalb

    

Lajme të ngjashme

Back to top button