UKA DHE XHANJA

Pasdite. Dielli ishte diku një hosten pranë bjeshkës në perëndim. Ukë Gurabardhi u kthye nga kafeneja. Rrugës bleu një par syze nga ato që shiten  për pesë para. Kur hypi në çardak, e thërriti të shoqen:

“Xhane”! por ajo nuk u përgjigj. Kishte qenë në ahur duke mjelë lopën. Uka e hodhi në minder kutinë me syze dhe u shtri, kurse kutia u hap nga përplasja dhe dukeshin mirë syzet. Nuk vonoi shumë e në dhomë hyri e shoqja, Xhanja.

“Çfarë është ajo”? e pyeti gruaja burrin duke treguar me gisht kutinë e hapur me syze brenda.

“Prit moj, ende s’ke hyrë në dhomë… Përshëndet e pyet si kalova… Pastaj”…

“Sa herë që ti të kthehesh nga kafeneja po të përshëndetkam unë! Si jo”!

“Për çfarë më pyete”?

“Po ajo kuti në minder, po t’i nxjerr sytë! Për atë po të pyes”.

“Aha, po syze janë. Kutia qenka e hapur, shihi”! tha Uka. “Syze janë”!

“Po, po… syze, syze”!…

“Po, de”, tha Uka. U ngrit, i mori syzet, i nxori syzet. “Ja, shihi! Janë për lexim”.

“Korniza e zezë, me mbajtëse të kuqe”!… ndërhyri Xhanja. “Për lexim qenkan! Aty të prita”!, tha gruaja, “korniza e zezë, mbajtëset e kuqe qenkan syze burrash”!

“Po, de”, tha Uka, “korniza e zezë, mbajtëset e kuqe, janë syze për burra. Ç’të keqe paska këtu? Janë të lehta. Pastaj disa herë kam pyetur në dyqan: a janë për burra? Po, më kanë thënë. Dhe, çfarë është më me rëndësi i kam marrë lirë. Fare lirë. Një mijë denarë. Janë shpëtim për mua se dy-tre parë syze që i bleja në pazar, mall kinez, m’u thyen e s’e lexoja dot gazetën pa syze”.

“O ti njeri, ku ke parë ti që burrat të mbajnë këso syzesh”?

“Ç’më intereson bota mua. Syze janë”!

“Syze  po, por a nuk i shihka zotërija se janë syze grash ato”?

“Nuk janë”!…

“Janë dhe pikë”!

“Po në qofshin syze grash, si thua ti, merri moj grua! I bajsh me shëndet”.

“Dëgjo o njeri, mos u mundo të nxirresh”! plasi Xhanja duke e rrudhur ballin, duke i mbledhur buzët troç dhe duke e zgjatur pak kokën përpara, me dorën në brez që kishte marrë formën e një shkronje të mjerë V, me çka i bënte me dije të shoqit se nuk kishte besim te fjalët që ia thoshte ai. Ajo ishte e bindur se me këto syze tashmë e kishte në grusht të shoqin. Sepse, mendonte ajo, ky moti jep do shenja që të bën mos t’i besosh. Ka diçka këtu! Është një sebep gruaje sjellja e tij! Një tradhti. “Trego drejt ku ke qenë dhe me cilën shtrigë ke qenë dhe i ke ndërruar syzet me të. I ke marrë të sajat i ke lënë tuat duke u ngutur”!…

“Eh, moj grua, po më fyen, po më rëndon shumë! Të tregova se syzet e mia m’u thyen”, tha burri ngadalë thuajse gjuha i ishte trashur. “Kjo është akuzë e rëndë”!

“Hajde, hajde mos m’u bën shenjtor”!

Edhe pasditën nisën ta rëndojnë disa shtëllunga terri që po vendoseshin qosheve, prapa mureve, mbi musandër dhe njëherësh mbrëmjen që po vinte e paralajmëronin hijet e stërgjata të pemëve që shtriheshin nga perëndimi e shkonin kah lindja. Edhe në dhomë drita e ditës dukej e lodhur dhe po ia lëshonte pushtetin ajrit të purpurtë të mbrëmjes.

Ngadalë, pastaj, terri filloi t’i përbijë gjërat e imta, si filxhanat e renditur në vitrinë, gotat e harruara mbi tavolinë dhe i zgjati gishtat e tij të zez edhe mbi minderë, tavolinë dhe koftorrin e madh. Pastaj Xhanja që rrinte në këmbë te dera e zgjati dorën kah çelësi i dritës elektrike dhe e ndezi dritën, e cila sërish e zbuloi tërë dhomën që tash dukej pak më ndryshe se në dritë të ditës. Drita e dobët e poçit të vogël elektrik i tregonte mobilet si më të vjetra, të përdorura me vite. Ndërkaq shkëndijat e bisedës së acaruar rreth syzeve mes gruas dhe burrit e përhapën edhe një zymtësi. Edhe Uka dukej krejt i verdhë në atë, të themi, skenë.

 

Atmosfera e rëndë bëri që Uka të ndjente një nevojë të paparë të largohet sa më shpejt nga ajo dhomë ku ishte, sepse u ndje thuajse ishte në do kthina që dikur milicia jugosllave i përdorte në biseda informative prej nga fatkëqijtë përfundonin atje ku ha pula gur, kthina këto që Uka fatkeqësisht i kishte provuar moti, si ushtar prej nga kishte përfunduar në burg dhe të cilat donte t’i harrojë, por ato kujtime qëndronin aq të qarta në kokën e tij, veçmas e ndiqte një çast kur  neurologu i spitalit ushtarak të Lubjanës, dr. J. Pirci i njohur, i kishte thënë se duhej të kujdesej për kokën, për shkak të lëndimeve, që Uka i kishte marrë nga dajaku në burg.

“Mund ta pësosh edhe nga ndonjë hidhërim”!… ia kishte tërhequr vërejtjen dr. J. Pirci. I prekur ngase e kuptoi se gruaja po e akuzonte për “tradhti”, u hidhërua tepër, damari iu fry në ballë dhe deshi të çohet, por nuk mundi.

Këmbët i kishte thuajse të lidhura nga një konop i padukshëm. As fjala s’i dilte gojet. Nisi t’i kërcëllojë dhëmbët dhe përnjëherë, si ishte ulur,  ra, u rrëzua me kokë nga minderi në tokë, u alivanos, u shtang, fulçitë iu shtrënguan dhe iu rëndua frymëmarrja. Pas disa sekondash i doli gjuha nga goja, pastaj përsëri iu kthye brenda. Në vazhdim nga goja nisi t’i dilte shkumë me të madhe dhe e gjithë kjo zgjati disa minuta. Pasoi një ofshamë e rëndë dhe kaq. Uka mbeti i shtrirë, i alivanosur shtang mbi qilim. Ndërkohë Xhanja e pa shkumën që i kishte rrjedhur me bollëk të shoqit nga goja, e pa edhe se i kishte shkuar edhe shurra e cila e kishte lagur qilimin dhe u tremb. E shkundi për supesh të shoqin dhe e tronditur e thërriste: “Ukë, Ukë”! Kot. Uka nuk përgjigjej. Në fund Xhanja kërkoi ndihmë, e lemeritur.

Uka pastaj përfundoi në spital.

“Më fal Ukë, më fal shpirt! Të lutem, më fal”! qante Xhanja pranë krevatit të Ukës duke ia lëmuar flokët burrit, kurse Ukës filloi t’i përhihet doktor J. Pirci, i cili e qortonte se nuk ka qenë mjaft i vëmendshëm. “Mund ta pësosh edhe nga një hidhërim…”i dëgjonte të qarta fjalët e dr. J. Pircit.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button