Shasivari: Procesuimi ndërkombëtar i rastit “Monstër” zgjidhja e vetme e pranueshme

BDI-në nga kjo pakënaqësi popullore dhe nga përgjegjësia e saj për rastin Monstra e liron vetëm formimi i një Komisioni ndërkombëtar ose rajonal neutral që do të procesuonte rastin nga fillimi deri në fund, vetëm kështu BDI do të jetë korrekte edhe me veten edhe me popullin. Kështu ka vlerësuar profesori universitar, Jeton Shasivari, doktor i shkencave juridike dhe njohës i mirë i rrjedhave politike në Maqedoni duke folur për Portalb në lidhje me zhvillimet e fundit politike në vend, arrestimet në aksionin Monstra dhe deklaratat e liderit të BDI-së, Ali Ahmeti.

“BDI është bashkëpjesëmarrëse në aksionin policor “Monstër” dhe gjatë kësaj kohe ka pasur qëndrime identike me VMRO-në, duke qenë e bindur se VMRO di çka bën. Mirëpo, kohën e fundit, nën ndikimin e pakënaqësisë popullore e cila drejtpërsëdrejti e goditi BDI-në, filloi të shpreh dyshimet e para në korrektësinë e rastit në fjalë. BDI-në nga kjo pakënaqësi popullore dhe nga përgjegjësia e saj për këtë rast, e liron vetëm formimi i një Komisioni ndërkombëtar ose rajonal neutral që do të procesuonte rastin nga fillimi deri në fund sepse vetëm kështu BDI do të jetë korrekte edhe me veten edhe me popullin meqenëse, siç dihet BDI bëri çmos që të miratohet për së dyti herë Ligji për amnisti sepse i beson vetëm gjyqësisë ndërkombëtare, e jo asaj të vendit, dhe nuk do të jetë parimore nëse atë që nuk e dëshiron për vete, tua dëshirojë të tjerëve. Veprimi i kundërt me këtë gjë, do të jetë një kafshatë tepër e madhe që zor se do të kapërdihej në politikë dhe shoqëri” thotë Shasivari.

Ai komentoi edhe anketën e fundit të agjencionit “Rejting”, duke theksuar se “gjetjet e saj që bazohen në percepsionet e të anketuarve, nuk përkojnë njëra me tjetrën, përkatësisht nuk është e kuptueshme që pjesa dërmuese e të anketuarve të konsiderojnë se vendi nuk po ec në drejtimin e duhur dhe se çdo i dyti ndjehet i pasigurtë, ndërkaq nga ana tjetër, partitë qeverisëse të kenë rejtingun më të lartë, edhe pse VMRO dhe BDI shënojnë një rënie të rejtingut të tyre”.

I pyetur për shkeljet ligjore gjatë aksionit “Monstër”, Jeton Shasivari na sjellë një analizë të detajuar, rreth gjithë atyre shkeljeve të parimeve juridike dhe logjike nga ana e institucioneve shtetërore.

“Në aspektin kushtetues, aksioni “Monstër” i shkeli thellë liritë e njeriut që kanë të bëjnë me prezumimin e pafajësisë (si p.sh.: deklarata e Jankullovskës se u kapën vrasësit terroristë dhe deklarata e kryeprokurorit se ata do të dënohen maksimalisht); pastaj, shoqërimi i femrave të privuara nga policët meshkuj që nuk ka ndodhur as në diktaturën komuniste; disa media i dhanë të arrestuarit me fytyrë të mjegulluar e disa jo; torturimet e dy të paraburgosurve të konfirmuar edhe nga Avokati i Popullit, etj. etj.. Më pas, radhiten paradokset si në vijim: ndryshimi i çuditshëm i statusit të njërit prej të arrestuarve që fillimisht konsiderohej si i zhdukur e më pas, prej dëshmitarit të mbrojtur me ankesë të vetë u bë i pandehur (gjë që ndodhi për herë të parë në praktikën gjyqësore në vend); Ose ku “u tretën” deklaratat e Jankullovskës se disa nga të arrestuarit janë trajnuar dhe kanë luftuar kundër NATO-s në Afganistan dhe Pakistan; Ose deklarata se ka gjurmë biologjike të cilat vijnë në shprehje kur ka përleshje midis vrasësit dhe viktimës, kurse dihet mirëfilli se bëhet fjalë për një ekzekutim klasik; Ose deklarata se së pari janë vrarë katër të rinjtë e më pas është vrarë personi i pestë, edhe pse kjo nuk do me thënë se nuk mund të jetë edhe e kundërta e kësaj, përkatësisht së pari të jetë vrarë personi i pestë, e më pas katër të tjerët; Ose pranimi se nuk janë gjetur armët me të cilat janë kryer vrasjet.
 Pastaj, licitimi “politik” me cilësimin e provave, pra, njëherë del Jankullovska dhe thotë se kemi “prova të forta”, pastaj del Gruevski dhe thotë se kemi “prova të fuqishme”, e më pas del kryeprokurori duke thënë se kemi “prova solide”, dhe del prapë Jankullovska duke thënë se policia ndonjëherë ka bërë disa gabime, por për këtë rast është e bindur se këta janë autorët e vrasjes, dhe në fund, edhe njëherë del kryeprokurori duke thënë se provat kanë një shkallë të lartë dyshimi që i ngarkojnë të paraburgosurit” sqaron detalisht Shasivari.

Ai tha se krejt këta po vihen në rolin e gjykatës duke ushtruar presion mbi gjyqtarët meqenëse vetëm gjyqtari është personi zyrtar që vendos për provat sipas bindjes së tij duke arsyetuar në fund se cilat fakte do ti konsiderojë të provuar e cilat jo.

“Krejt kjo përmblidhet me një maksimë romake e cila thotë se: “Asgjë nuk tregojnë ata që shumë tregojnë”! Nga ana tjetër, të gjitha këto veprime, synojnë të përçojnë mesazhin se të arrestuarit janë terroristë dhe duhet të torturohen që të zbulohet më tepër prej tyre, gjë që është në kundërshtim me normat ndërkombëtare sepse sipas tyre në asnjë rast nuk lejohet torturimi. Tani, në krejt këtë atmosferë, paramendoni se si mund të pritet një gjykim i drejtë i tyre kur, të arrestuarit tashmë nga Jankullovska dhe nga mediet maqedonase u gjykuan si vrasës dhe terroristë , dhe se tani ka mbetur që tu shqiptohet dënimi maksimal me burgim të përjetshëm”  thotë Shasivari.

Ai ka përmendur dhe një aspekt tjetër që sipas tij,  ka të bëjë me propagandën qëllimkeqe populiste të disa politikanëve qeveritarë maqedonas që fshehin edhe prapavijën e tyre fetare ekstreme orthodokse se vrasja është kryer me motive radikale fetare islame.

“Shtrohet dilema: Nëse policia i di këto motive atëherë përse i torturon të paraburgosurit? Konsideroj se kjo gjë ndodh sepse Jankullovska nuk ka kapacitet të kuptojë se secili besimtar nuk është terrorist dhe secili terrorist nuk është besimtar! Ose të sqarojmë këtë gjë sipas mësimeve Islame, që përcaktojnë se ai që vret tjetrin pa arsye, është njësoj sikur të vretë krejt njerëzimin, pra atëherë cili besimtarë i futet kësaj “matematike” shkatërruese për veten e tij, sepse vrasja pa arsye do të ishte e barabartë me 7 miliardë vrasje, apo nëse me fjalën “njerëzim” nënkuptohet njerëzimi i të gjithë kohëve, atëherë nuk ka shkencë që do të llogariste shkatërrimin në fjalë” përfundon Shasivari

“Nuk jam pjesë e kombinimeve për opsion të ri politik”

E pashmangshme ishte pyetja të cilën praktikisht e imponoi e përditshmja maqedonase “Fokus”, ku Jeton Shasivari përmendet si njëri prej opsioneve për bllokun e tretë politik shqiptar.

“Shkrimet e tilla nuk janë të vërteta. Konsideroj se në këtë periudhë që vjen nuk është koha për opsione të treta, por për një bashkërenditje më të gjerë rreth një opsioni të vetëm që do të bazohej në një platformë unike politike me një teh të mprehtë për avancimin e statusit të shqiptarëve nga ai i pakicës në popull konstitutiv që si pikënisje do të ketë faktin se Marrëveshja e Ohrit e realizoi qëllimin e saj, por jo edhe shqiptarët” tha Jeton Shasivari.

 

Lajme të ngjashme

Back to top button