Pas tre viteve riaktivizohen bisedimet për çështjen e emrit me Greqinë

Ndërmjetësuesi i KB-së në bisedimet për çështjen e emrit midis Maqedonisë dhe Greqisë, Methju Nimic, pas pauzës trevjeçare, sot dhe nesër në Bruksel do të ketë takim me përfaqësuesit e të dy vendeve Vasko Naumovski dhe Ademantios Vasilakis.

Takimi, siç paralajmëroi Zyra e Nimicit, është pjesë e përpjekjeve të KB-së që t’u ndihmohet të dyja palëve të gjejnë zgjidhje të përbashkët të pranueshme për çështjen e emrit.

Është parashikuar që ndërmjetësuesi të ketë takime të veçanta me përfaqësuesit e të dy vendeve, ndërsa nesër, varësisht nga rrjedha e bisedimeve, do të mbahet një takim i përbashkët.

Tani për tani, nuk ka njoftim zyrtar nëse Nimic do të dalë me ide të reja, sugjerime apo propozime, edhe pse mediat greke nuk e përjashtojnë këtë mundësi.

Vullnet të mirë për zgjidhje tek të dyja palët sheh edhe ndërmjetësuesi Nimic, i cili në një deklaratë për agjencinë e lajmeve – IBNA, shfaqi edhe shpresë se do të tejkalohen edhe të a.q. linjat e kuqe të vendosura nga Athina dhe Shkupi.

Raundi i ri vjen në një periudhë të klimës së përmirësuar politike midis Maqedonisë dhe Greqisë, si dhe pritje optimiste nga Shkupi dhe Athina, por edhe nga Uashingtoni për t’i dhënë fund kontestit shumëvjeçar.

Kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev disa herë ka deklaruar se duhet të bëhet një hap përpara dhe se tani ka shanse më të mëdha nga më parë që të gjendet një zgjidhje me Greqinë. Në intervistën për agjencinë greke të lajmeve ANA-MPA, Zaev ka theksuar se duhet të gjendet zgjidhje e cila do të jetë e pranueshme për të dyja palët.

Kryeministri grek, Aleksis Cipras pret në vitin 2018 të ndodh një kthesë më e gjerë në Ballkan, por edhe të ketë ngjarje pozitive lidhur me çështjen e Maqedonisë, nëse, siç thotë, Shkupi vendos të bëjë hapa pozitiv përpara.

Paraprakisht, edhe shefi i diplomacisë greke Nikos Koxias, deklaroi se pret që çështja të mbyllet në gjysmën e parë të vitit të ardhshëm. Ndërkaq, thotë Koxias, zgjidhja duhet të jetë kompromis për emrin që të hapet rruga e Maqedonisë drejt BE-së dhe organizatave të tjera në të cilat dëshiron të inkuadrohet.

Optimizëm se kontesti përfundimisht mund të zgjidhet shfaqën edhe zëvendësndihmës sekretari shtetëror amerikan Hojt Ji dhe komisari evropian Johanes Han.

Ji konsideron se çështja për emrin deri më tani është në nivel më të lartë dhe më afër gjetjes së zgjidhjes. Han, ndërkaq, deklaroi se pret që në gjysmën e parë të vitit 2018 të gjendet zgjidhje politike me Greqinë për hapjen e negociatave me Maqedoninë për anëtarësim në BE. Si një shtojcë për këtë, Ji dhe Han, i theksojnë relacionet e përmirësuara politike midis Shkupit dhe Athinës.

Raundi i fundit formal i bisedimeve të ndërmjetësuesit të KB-së me përfaqësuesit e të dy vendeve u mbajt në Nju-Jork në nëntor të vitit 2014.

Kontesti për emrin midis Athinës dhe Shkupit zgjat që nga pavarësia e Republikë së Maqedonisë në vitin 1991. Për shkak të kundërshtimit të Greqisë, e cila nuk e pranon emrin kushtetues të Maqedonisë, anëtarësimi i Maqedonisë në KB më 8 prill të vitit 1993, ishte bërë nën referencën e përkohshme: Ish Republika Jugosllave e Maqedonisë. Nën patronatin e KB-së, të dyja vendet filluan bisedime për zgjidhjen e problemit që e ka Greqia me emrin kushtetues të Maqedonisë, të cilat ende po zgjasin.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button