Britania “nuk do t’i paguajë miliardat e divorcit” nëse s’arrin marrëveshje tregtare me BE-në

Britania e Madhe nuk do ta paguajë faturën e divorcit prej 40-45 miliardë eurosh nëse nuk mundet të arrijë një marrëveshje tregtare me Brukselin, konfirmoi sot ministri britanik i ngarkuar me Brexit, David Davis.

Dy palët arritën të premten një kompromis mbi parimet e zgjidhjes financiare të Brexit në kuadër të një marrëveshjeje mbi kushtet e daljes së Britanisë së Madhe nga BE duke nisur nga fundi i muajit mars 2019 dhe duke i hapur rrugën diskutimeve për marrëdhënien e ardhshme tregtare.

Pyetjes nëse Londra do të paguante faturën e saj në mungesë të një marrëveshjeje tregtare, David Davis u përgjigj për BBC se kjo do të ishte e kushtëzuar nga marrja e një periudhe tranzicioni dhe nga një marrëveshje tregtare, përcjell Atsh.

“Mungesa e marrëveshjes nënkupton se ne nuk do të paguajmë”, nënvizoi ai duke shtuar se mundësitë për Londrën për të lënë BE-në pa një marrëveshje tregtare ishin shumë të pakta.

Në mungesë të një marrëveshjeje tregtare, Britania e Madhe do t’i nënshtrohet rregullave të Organizatës Botërore të Tregtisë (OBT), sinonim i barrierave doganore dhe tarifore.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button