Mirëserdhët në shkretëtirën e reales

Mendoja diçka rreth asaj se siç ka nevojë njeriu për shëtitje dhe ajrosje, ashtu edhe tekstet ndonjëherë duhet të jenë për diçka tjetër pos për ndodhitë aktuale. Ashtu, ka shumë gjëra për të cilat, herëdo kurdo, duhet të shkruhen një varg tekstesh. Gjëra të cilat ndonëse nuk janë aktualitet, janë aktuale në aspektin jashtëkohorë, dhe të cilat sqarojnë realitetin në Maqedoni. Prej gjërave që në shikim të parë janë imtësi, si bozë dhe simit pogaçe, e deri te ngjashmëria mes funksionimit të Bit Pazarit dhe shtetit.

Por, si të shkruhet për këto kur aktualisht ndodhin shembuj jashtëkohorë për gjëra të cilat çdoherë i kemi ndier, por që kanë qenë të vështira për sqarime vetëm me fjalë pa mos u ilustruar me shembuj konkret. Dy gjëra të atilla ishin ndjenja se një numër i madh i politikanëve shqiptarë në Maqedoni po tentojnë me fjalim të dyfishtë të përvidhen mes dilemës për Maqedoninë dhe shqiptarët.

Dhe tjetra është mospasja e një mekanizmi, në model të këtillë aktual demokratik, që të diskreditohet në tërësi nga ana e qytetarëve, e tërë skena e cila e bën të mundur abuzimin e shtetit dhe të institucioneve nga ana e disa pretenduesve në politikë. Edhe maqedonas edhe shqiptarë dhe të tjerë. Mbi shpinë dhe në dëm të të gjithë qytetarëve. Këto dy gjëra me të vërtetë kërkonin mund edhe për të u sqaruar e edhe të kuptohen, por mendoj se e gjithë kjo tashmë u bë më e lehtë pasi ndodhë dy shembujt e javës së kaluar të cilat desha t’i shënoj, mu për shkak të asaj se janë jashtëkohorë.

I parë është basketbollisti “antik-q”, i cili për shkak të asaj se ka luajtur për një ekip grek publikisht u prezantua si IRJM-istë. Gjë që fare nuk është kontestuese, duke e ditur sa herë e kanë bërë atë patriotë më të zellshëm vendor. Prej kryeministrit aktual e deri te tjerë. Por, tentimi për të përmirësuar perceptimin për vetveten e këtij basketbollisti me shpalosjen e flamurit shtetëror në zhveshtore e bën këtë basketbollist shembull të jashtëkohor dhe ilustrim për fjalimin e dyfishtë të disa politikanëve në tentativë të këtushëm. Pikërisht si këta politikanë në tentativë kur flasin për shqiptarinë në tubime folklorike nëpër malet tona apo kur marrin pjesë në televizione në Kosovë apo në Shqipëri. Por përveç asaj se Zoti na ka dhënë mend, vesh dhe sy, I Lartmadhërishmi, ka bërë që të ketë edhe përkthyes dhe Wikileaks, andaj gjithçka tani më është më se e qartë. Kështu ky  edhe gjatë shpalosjes së flamurit, megjithatë, vetëm u shplua në zhveshtore, kurse këtyre të tjerëve u kishte rënë sapuni. Tani janë në dilemë ta marrin ate apo ta lënë, e me këtë të vënë veten në rrezik që të rrëshqasin.

Por, këtyre të fundit më shumë u ngjan krahasimi me lojën e dominos. Kështu, nga fjalimi i dyfishtë atyre çdoherë u mbetet zero e dyfishtë në dorë. Guri zero e dyfishtë është pikërisht guri më i preferuar të cilin lojtarët-amatorë të domino dëshirojnë ta mbajnë deri në fund, sepse nuk ka vlerë nëse të mbetet edhe ndonjë gur tjetër në dorë. Por, fatkeqësia e gurit zero e dyfishtë është si fatkeqësia e amatorizmit kur mbetesh i zhveshur prej gjithçka tjetër. Atëherë ai gur numërohet shumë dhe bën goxha dëm. Kjo vlen për shembullin tjetër jashtëkohor të javës së kaluar, ndodhi kjo ku, simbolikisht, u rrëzua i tërë konteksti i cili mundësonte që shumë kësisoj politikanë në tentativë përmes ndarjeve dhe ngatërrimeve të njerëzve, me njëri-tjetrin, të vazhdojnë të abuzojnë me shtetin. Mu, në protestën e dytë e cila u mbajt edhe para selisë së BDI-së në Reçicë të Vogël dhe aty ish-prijësit politik, ose komandantit të UÇK-së, veç tjerave, i brohorisnin kundër edhe me: UÇK, UÇK!

Këtu ndonëse përfundojnë fjalët, gjithçka bëhet e qartë. Pas kësaj momentumi politik i politikës shqiptare në Maqedoni mund të sqarohet vetëm me titullin i cili është replikë filmi nga filmi “Matrix”: Welcome to the desert of the real! Ashtu edhe brohoritja “UÇK” para selisë së njeriut i cili krijoi dhe udhëhoqi me atë ushtri, është shembulli më ilustrativ për atë që ndodhi dhe atë që do ndodh. Autori i këtyre rreshtave nuk e di as kush është lideri i ardhshëm tek shqiptarët, as atë se a do të formojë parti politike Kim Mehmeti apo do t’ia formojnë, por atë që e dija dhe e kuptova, dëshirova që të dihet këtu dhe tani.

Lajme të ngjashme

Back to top button