Anxhela Peristeri fiton “Kënga Magjike 2017”

Artistja Anxhela Peristeri ka arritur të triumfojë në edicionin e 19-të të festivalit “Kënga Magjike”.

Plot 20 artistë u ngjitën në natën finale të festivalit “Kënga Magjike 2017” të mbajtur në Pallatin e Kongreseve, ndërsa Anxhela Peristeri me këngën e saj “E çmendur” rezultoi të jetë më e votuara nga artistët pjesëmarrës, transmeton Telegrafi. 

“Kënga “E çmendur” është një kompozim i Kledi Bahitit, ndërsa vargjet e saj janë shkruar nga Olti Curri.

Vendi i dytë shkoi për artisten Elhaida Dani me këngën e saj “E ngrirë”, ndërsa vendi i tretë për  Fifin dhe këngën e saj shumë të suksesshme, “Zhurmë”.

Artistja Elhaida Dani është shpërblyer në natën finale të festivalit “Kënga Magjike 2017” me “Çmimin e Kritikës”.

Ky çmim cilësohet si një nga çmimet më të rëndësishme të festivalit, sepse jepet për këngën më me vlera, dhe për fituesin e tij kalohet në një skaner profesionalizmi deri në imtësi.

E pra, kënga “E ngrirë” e Elhaida Danit ishte e duhura për këtë çmim. Kjo këngë është një kompozim i vet këngëtares, dhe është orkestruar nga Darko Dimitrov.

Vet Elhaida në një intervistë për telegrafin kishte rrëfyer se kjo këngë është një nga më të bukurat që ka sjell këtë vit, ndërsa ndjehet shumë e lumtur që është pjesë e natës finale.

“Kënga Magjike” ka dhuruar në çdo edicion çmimin “Jon Music” – çmim ky që mban emrin e djalit të producentit Ardit Gjebrea, Jon Gjebrea.

Ky çmim iu dhuruar artistit të ri Klinti Çollaku, i cili është i njohur për publikun nga spektakli i talenteve “The Voice of Albania”.

Klinti këndoi në skenën e Pallatit të Kongreseve, këngën e tij “Më s’më gjen”.

Festivali “Kënga Magjike 2017” dhuroi edhe çmimin “Best Etno Trend”.

Ky çmim shkoi për këngën më interesante të festivalit, e miksuar në një stil më të veçantë, e që kësaj radhe i takoi Rovena Dilos, për këngën e saj “Ke le për mu”.

Ndryshe nga herët e tjera, këngëtarja e njohur është paraqitur me një këngë ndryshe, të kënduar në dialektin gegë.

Këngëtarja Samanta Karavella është shpërblyer me çmimin “Balada më e mirë” për këngën e saj të titulluar “E humbur”.

“Ju falënderoj të gjithë ju, sepse këtë çmim jua kam dedikuar juve”, është shprehur këngëtarja Karavella referuar publikut.

Kënga e saj “E humbur” është punuar nga Kledi Bahiti, me tekst të Olti Currit, dhe orkestrim nga Darko Dimitrov.

E kontaktuar nga Telegrafi, Samanta ka thënë shkurt se është duke e shijuar pjesëmarrjen e saj në këtë festival, ndërsa ndjehet e lumtur të jetë pjesë e finales.

Nata finale e festivalit “Kënga Magjike 2017” ka ndarë edhe “Çmimin e interpretimit”, në të cilin ishin të nominuar artistët: Rovena Stefa, Anxhela Peristeri, dhe dueti mes Kastro Zizos dhe Rea Nuhut.

Këta dy të fundit arritën të fitojnë çmimin, ndërsa më pas interpretuan live këngën e tyre “Pa faj”.

Këngëtarja Blerina Braka është shpërblyer me çmimin e madh, “Çesk Zadeja”, në natën finale të “Kënga Magjike 2017”.

Ajo ka falënderuar familjen e saj: dy prindërit, si dhe bashkëshortin, ndërsa ka interpretuar live këngën e saj “Mirupafshim dashuri”.

Këngëtari i njohur Stine është shpërblyer me “Çmimin Diskografik”.

Ky çmim, i cili viteve të kaluara jepej për diskografinë (albumet më të shitura), me kalimin e viteve dhe ndryshimin e tregut, tani i referohet këngëve më të klikuara dhe të blera në internet, e që mesa duket rezulton të jetë kënga “Ma more zemrën” e këngëtarit Stine.

Në një intervistë për Telegrafin Stine ishte shprehur: “Këtë këngë e interpretoj me gjithë qejf, kam përgatitur një performancë të bukur me shumë statistë, ndërsa sa i përket vlerësimit, atë pjesë sigurisht ua kam lënë të tjerëve”.

E si mund të ndodhte ndryshe? “Kënga hit” shkoi për këngën “Zhurmë” të artistes nga Kosova, Filloreta Raçi – Fifi.

“Rëndësi ka që unë e kam fituar çmimin e publikut”, u shpreh këngëtarja duke iu referuar faktit se ndjehet krenare që kënga e saj është bërë hit.

Fifi në një intervistë për Telegrafin kishte treguar se kënga e saj “Zhurmë” është e frymëzuar nga një histori personale në jetën e saj, dhe se ndjehet mirë për suksesin e arrirë.

“Zhurmë” është njëherësh edhe kënga më e klikuar e festivalit.

Grupi i njohur nga Peja, të cilët pas 10 vitesh u prezantuan në “Kënga Magjike”, arritën që ta ruajnë prestigjin e “Grupit më të mirë”, duke u shpërblyer kështu edhe me këtë çmim në natën finale.

NRG Band interpretuan live këngën e tyre hit “Gocat me martini”, e cila ka ndezur paksa atmosferën për të pranishmit.

Ndryshe, lideri i grupit, NRG Band rrëmbeu duartrokitjet e të gjithëve teksa u shpreh se këtë çmim ia dedikon vajzës që do ta sjellë së shpejti në jetë.

Këngëtarja nga Kosova, Egzona Ademi, është shpërblyer me çmimin e Radio Televizuionit 21 në Kosovë dhe Maqedoni.

Ky çmim, i cili dhurohet për këngën më të dëgjuar nga festivali në këto dy televizione, i shkoi këngës “E ndjej”, të cilën Egzona e interpretoi live para publikut.

Ajo falënderoi së pari Zotin, kompozitorin e këngës, Adrian Hilën, e ndërsa çmimin ia dedikoi nënës së saj.

Në natën finale u prezantua një performancë shumë e veçantë me një kolazh këngësh nga Agim Krajka, të cilat u kënduan nga juria e festivalit dhe artistët e rinj në konkurrim.

John Shahu

Pas performancës, erdhi edhe radha për të ndarë çmimin “Artisti i ri më i mirë”, çmim ky i cili shkoi për John Shahun, një i ri shqiptar nga Australia, i cili konkurroi këtë vit në “Kënga Magjike” me këngën e tij “Medicine”.

Nata finale e festivalit “Kënga Magjike 2017” ndau edhe çmimin e duetit më të mirë, i cili shkoi për vëllezërit korçari, Endri dhe Stefin.

“Kush më mirë se dy vëllezër mund ta meritojnë çmimin e një dueti?” – kështu u shpreh producenti Gjebrea teksa u dorëzoi kupën në skenën e Pallatit të Kongreseve.

“E prek magjinë” titullohet kënga e dyshes që u solli këtë çmim sivjet në festivalin “Kënga Magjike”.

Reperët Stresi, Anxhelo Koçi dhe Flor Bana kanë arritur të fitojnë çmimin e internetit, i cili në “Kënga Magjike” quhet “Best Artist on Web”.

Ky çmim i adresohet këngës më të votuar në internet, e cila ka qenë “Sa herë e don:, të cilën treshja në fjalë e interpretuan live në skenën e Pallatit të Kongreseve.

Ashtu siç kishte treguar se do bënte më herët, rap-artisti Stresi ia dedikoi çmimin kushëririt të tij të ndjerë, Gojart Lushajt, i cili u nda nga jeta në moshë të re këtë vit.

Këtë vit në “Kënga Magjike” u nda një çmim shumë i veçantë i quajtur “Metropol”, i cili i jepet artistit për kontribut artistik referuar qytetit të Tiranës, e që gjithmonë është cilësuar si metropoli shqiptar.

Aurel Thelimi është artisti së cilit iu dha ky çmim, kjo për faktin se ai ka dhënë kontributin e tij artistik ndër vite duke kënduar në Teatrin e Operas dhe Baletit në Tiranë, si dhe shumë shfaqje tjera të njohura.

Ai interpretoi live para publikut këngën e tij “E diel”

Në festivalin “Kënga Magjike” asnjëherë s’ka munguar çmimi “Kënga Stil”, të cilin kësaj radhe e fitoi këngëtari nga Peja, Lind Islami.

Ai falënderoi përkrahësit e këngës së tij, publikun si dhe të dashurën, Venera Lumani, e cila njëherësh është anëtare e jurisë në Kënga Magjike.

Këngëtarja e re Xhesika Polo ka arritur të fitojë një prej çmimeve më prestigjoze, atë të televizionit KLAN.

Ajo ka falënderuar producentin Aleksandër Frangaj dhe gjithë publikun që e ka mbështetur, ndërsa ka kënduar këngën e saj “Jetën ma fal”.

Këngëtari nga Gjakova, Valon Shehu ka kënduar i treti në radhë në natën finale të “Kënga Magjike 2017”.

Ai performoi para publikut baladën e tij “Një ditë”, ndërsa ka rrëmbyer duartrokitje të shumta me interpretimin e tij live.

Grupi i njohur Alar Band janë shpërblyer me çmimin “Best Dance” për këngën e tyre “Leni onjant”.

Ata interpretuan ‘live’ këngën e tyre, ndërsa kanë marrë me vete kupën e parë të natës finale.

I dyti në radhë ishte këngëtari nga Kosova, Mentor Haziri, i cili ka arritur të rrëmbejë çmimin “Zëri më i bukur mashkull”.

“Plagë në zemër” titullohet kënga e tij, të cilën Haziri e interpretoi ‘live’ para publikut në mënyrën më korrekte të mundshme.

Nata nisi me këngëtaren Ahxela Peristeri, e cila arriti të shpërblehet me çmimin “Zëri më i mirë femër”.

Anxhela performoi live para publikut këngën e saj “E çmendur”, dhe ka rrëmbyer duartrokitjet e publikut në sallë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button