Bartësit e Librit

“Solara: You know, you say you’ve been walking for thirty years, right?
Eli: Right?
Solara: Have you ever thought that maybe you were lost?
Eli: Nope.
Solara: Well, how do you know that you’re walking in the right direction?
Eli: I walk by faith, not by sight.”
-Book of Eli

Ngjarja e filmit “Book of Eli” zhvillohet në një atmosferë të zymtë (pas një katastrofe), ku kanë mbetur pak krijesa njerëzore dhe pak të mira materiale. Ambienti, por edhe drama që zhvillohet në film ngjasojnë shumë me përditshmërinë tonë shqiptare. Aty ka njerëz të nënshtruar, ka kanibalë, resurse natyrore të monopolizuara, ambient mbytës, njerëz në prita,…

E gjithë ngjarja zhvillohet rreth Librit të Shenjtë, ku shfaqen katër tipe personalitetesh që dallohen me qëndrimet e ndryshme ndaj librit: të parët – dinë fuqinë e librit dhe këtë e shfrytëzojnë për të vënë pushtet mbi të tjerët (Carnegie), të dytët – janë tregtarët e librit (që asnjëherë nuk kanë pasur interesim për të lexuar atë, pasi është thjesht një mall), grupi i tretë janë ata të cilët dinë çdo detaj të faqes së librit, që arrijnë të nuhasin ndryshimet e aromës së tij dhe atë e kanë në mendje, zemër dhe e kanë referencë jetësore (Eli) dhe grupi i katërt janë ata që ndjejnë etje për librin (Solara), nxënësi fisnik.
Dialogu në fillim të tekstit mes Eli-t dhe Solar-ës është rrënjësor dhe shumë domethënës, pasi besimi i paraprinë kohës (for thirty years), veprimit (I walk) dhe vizionit (by sight) dhe në këtë mënyrë ai bëhet i dobishëm për shoqërinë duke ofruar alternativa për sfidat e shoqërisë. Eli është aktiv, përballet, ka guxim, ka urtësi dhe nuk serviloset, ai nuk jeton fshehur dhe i strukur në rreshtat e librit dhe nuk i përdor citatet e librit në jetën e tij në mënyrë deklarative dhe pa përmbajtje. Ai është i sigurt dhe i qetë, komunikimi me nxënësen është i matur dhe thellësisht i logjikshëm në shpjegimin se, luftën mes keqpërdoruesve dhe poseduesve të vërtetë të librit e fiton ai i cili në veprimet e tij është më konzistent me përmbajtjen e librit.

Sot, po të bëjmë një ndërthurrje mes skenarit të filmit dhe realitetit të Librit të Shenjtë në viset tona fitohet një kategori e re e raportit të njeriut me librin, ata të cilët sot janë në konfuzion me Librin e Shenjtë – teologët.  Ata nuk kanë të vërteta personale apo të bëma që do të konkretizonin bartjen e misionit konform brendësisë dhe urdhëresave të librit. Përditshmëria e tyre është mbushur me rutinë, ndërkaq mos-mishërimin e vetë me librin e fshehin pas citateve të zgjedhura dhe të mësuara përmendësh.

Të ndodhur mes sfidave që i ofron koha, hapave të vonuar dhe realitetit të paprekur, teologët fillojnë ndërtimin e “oazave të sigurta”, ku në emër të shenjtërisë synohet blerja e shpirtërave njerëzorë me çrast eklipsohet liria e gjykimit dhe mendimit kritik që bazohet në përvoja praktike. Kjo mbyllje e Librit të Shenjtë brenda kornizave të caktuara krijon tifozë, të cilët mund të besojnë në gjithçka që ju ofrohet, por jo edhe në fuqinë ndërtuese, reformuese të Librit të Shenjtë. Kjo është thyerrja e madhe, që si pasojë e konfuzionit të teologëve, sot “rinia fetare” nuk mund të gjejë fijen e ndryshimeve serioze në shoqëri. Interpretimi i Librit është shterp dhe i vrazhdë, i kufizuar në kohë dhe hapsirë, ndërkaq aktiviteti më i dobishëm fetar që buron nga ligjërimet fetare është postimi në rrjetet sociale i citateve të librit.

Ambienti improvizues i manifestimit të Librit të Shenjtë vërehet edhe në çdo sferë tjetër shoqërore. Kohezioni në mes krimit dhe fesë (psh. Laboratori i drogës dhe Hatme-ja në Reçicë të Vogël), ajri dhe uji i ndotur me apelin e librit për pastërti dhe dinjitet, këndimi dhe promovimi i ilahijeve tallava që fatkeqësisht janë bërë standarte fetare, pastaj humbja e besimit të ndërsjelltë dhe mungesa e angazhimit për punë të dobishme, mosbesimi ndaj institucioneve fetare, etj., dëshmon për krizën serioze të interpretuesve të librit. Mungesa e alternativave paraprirëse dhe të shëndosha për tejkalimin e sfidave, që do të kishin burimin dhe shembullin e Librit të Shenjtë dhe ambienti “i rënduar” shoqëror, krijon gjenerata që shpëtimin nga dështimet e veta t’a kërkojnë në “oazat e sigurta” të teologëve, ku Libri i Shenjtë tanimë shndërrohet në mjet pushteti.

Ku qëndron tejkalimi i krizës?!

Elementi kryersor në tejkalimin e gjendjes aktuale qëndron në daljen e teologëve nga “zona e sigurisë” (faltoret, institucionet fetare apo akademike,…) dhe në përballjen e tyre me vrazhdësinë e përditshmërisë, e cila është mbështjellë ose me harrimin total të Librit të Shenjtë ose është ri-aktualizim i vazhdueshëm i madhështisë së librit. Harrimi gllabëron edhe njohuritë më të thella teorike, ndërkaq vrazhdësia e mjedisit kërkon shkathtësitë e jetës, që shumicës së teologëve ju mungojnë. Përfundimisht, shoqëria mund të ndryshojë, nëse ata që bartin librin në vete, kanë shkathtësitë e nevojshme, ecin fuqishëm me besim dhe bindje dhe larg refrencave të kësaj bote.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button