Profesori Fatmir Sulejmani u vlerësua me çmim nga Qendra PEN në Shqipëri

Organizata ndërkombëtare për shkrimtarë, Qendra PEN e Shqipërisë, dje në Tiranë mbajti aktivitetin vjetor ku shpalli çmimet për arritjet në vitin 2017, në fushën e kulturës, letërsisë, gjuhës, përkthimit dhe studimeve albanologjike, shkruan Portalb.mk.

Në këtë ceremoni tashmë tradicionale, dekani i Fakultetit të Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë në Universitetin e Tetovës dhe kolumnisti i Portalb.mk u vlerësua me çmimin PEN “për kontributin intelektual në fushën e studimeve albanologjike”.

Vlerësimin e marrë nga PEN Shqipëri, profesori Fatmir Sulejmani e sheh si shpërblim për veprimtarinë e tij 35-vjeçare.

“Natyrisht, akordimin e çmimit nga “PEN ALBANIA” e konsideroj si respekt serioz ndaj kontributit tim modest në fushën e studimeve Albanologjike – në mbrojtjen e vlerave gjuhësore, letrare e kulturore shqiptare dhe në kultivimin dhe promovimin e tyre… Çmimin e konsideroj dhe si satisfaksion për gjithë veprimtarinë time 35 vjeçare si publicist, botues, krijues letrar, përkthyes, profesor universitar dhe studiues i letërsisë”, tha për Portalb.mk, Fatmir Sulejmani.

cats

Krahas çmimit “për kontributin e dhënë në sferën albanologjike”, nga PEN Shqipëri u ndanë edhe katër çmime të tjera për: poezi, prozë, përkthim dhe autor të ri.

Dje u ndanë: “mirënjohje për vepër jetësore dhe kontribute të çmuara në kulturën kombëtare” për autorin dhe studiuesin Zef Mark Zeka, “mirënjohje për promovimin e urave kulturore përmes gjuhës dhe letërsisë në botë” për shkrimtarin Safet Hadroviç; “mirënjohje në fushën e kulturës dhe promovimin e gjuhës shqipe ne hapësirat mbarëshqiptare dhe diasporë” për Ali Daci; “shkrimtari i vitit 2017″ për Ylljet Aliçka, “poeti i vitit 2017” për Ilirjan Zhupa; “autori më i ri i viti 2017” për Akri Çipa dhe “përkthyesi i vitit 2017” për përkthyesin Romeo Çollaku.

Në lidhje me ceremoninë e sivjetme të PEN Shqipëri, oranizatorja Entela Kasi u shpreh: “Letërsia është dimension lirie. Punët e artit edhe letërsisë mbeten pasuri e çmuar për njerëzimin”.

Përndryshe, Qendra PEN e Shqipërisë funksionon në bazë të kartës ndërkombëtare të PEN Internacional duke respektuar statusin dhe parimet e saj. Qendra PEN e Shqipërisë ka status bashkëpunimi dhe konsultativ me Kombet e Bashkuara, UNESCO, “Amnesty International” dhe të tjera institucione për kulturën në arenën ndërkombëtare.

Ndryshe, PEN Internacional e njohur si e tillë që nga viti 2010 është një shoqatë në gjithë botën e shkrimtarëve, e themeluar në Londër në 1921 për të nxitur miqësinë e intelektualëve të bashkëpunimit midis shkrimtarëve. Shoqata ka qendra autonome në mbi 100 vende. Qëllimi i kësaj organizate është: për të theksuar rolin e letërsisë në zhvillimin e mirëkuptimit reciprok dhe kulturës botërore; për të luftuar për lirinë e shprehjes; dhe për të vepruar si një zë i fuqishëm në emër të shkrimtarëve të burgosur dhe nganjëherë të persekutuar për pikëpamjet e tyre.

PEN fillimisht qëndroi për “poetët, eseistët e romancierët ” por tani përfshin shkrimtarë të çdo forme të letërsisë, siç janë gazetarët dhe historianët. Ajo është organizata më e vjetër në botë e të drejtave të njeriut dhe organizata më e vjetër letrare ndërkombëtare.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button