Problem serioz: paraqitja e provimeve në USHT shkon me ditë të tëra

Për të paraqitur një provim në Universitetin shtetëror të Tetovës një studenti i nevojiten plot 3 ditë. Studentë të këtij institucioni publik të arsimit të lartë për Portalb thonë se procedurat administrative gjatë paraqitjes së provimeve u marrin shumë kohë, ndërsa pritja para sporteleve është e panevojshme. Ata kërkojë që paraqitja të bëhet në mënyrë elektronike.

“Mospasja e mundësisë së paraqitjes elektronike të provimeve na shkakton probleme të mëdha. Për momentin, paraqitja e provimeve na merr shumë kohë, sepse administrata punon prej ora 09:00-12:00 kurse ne jemi shumë studentë dhe ndodh që dy apo tre ditë të mos vijmë në rend për të paraqitur provimet. Kjo shkakton lodhje te studentët dhe humbim energjinë që duhet rezervuar për të mësuar”, tha për Portalb, Skender Ferizi studenti i gazetarisë në USHT.

“Mënyra elektronike e paraqitjes së provimeve duhet urgjentisht te praktikohet! Në vend që të na lehtësohet puna, ne hasemi me pengesa që na marrin kohë dhe na lodhin pa nevojë. Është shekulli XXI dhe ne merremi me këtë problem, besoj se është turp i madh që qëndrojnë pasiv personat kompetent për ta ndryshuar këtë praktikë të paraqitjes provimeve”, deklaroi Enes Rexhepi, absolvent i fakultetit juridik në USHT.

“Nëse studentët do të kishin qasje elektronike, regjistrimi i provimeve do të ishte shumë më i lehtë. Në këtë mënyrë nuk do të kishte rend të madh para administratës sepse kjo simbolizon “mentalitetin e kohës së gurit”. Shpresoj se do të ndryshoj diçka në atë universitet edhe atë urgjentisht sepse në të kundërtën ku mbeti stimulimi i studentëve të ardhshëm për t’i zhvilluar studimet në USHT”, tha tani më ish student i USHT-së, Refit Refiti.

Por nuk janë vetëm studentët që kanë këtë problem, asistentët e USHT thonë se ata janë të ngarkuar të mbledhin fletëparaqitjet ndërsa ndodh shpesh që të njëjtat të humben. 

“Shpesh ndodh që studenti të ketë paraqitur provimin, por fletëparaqitja ti mungojë. Atëherë studenti duhet të ketë me vete vërtetimin që e ka paraqitur provimin. Pas publikimit të rezultateve dhe mbajtjes se konsultimeve, ne bëjmë punë administrative gjë që nuk na takon. Të gjithë studenteve që janë nënshtruar provimit ua plotësojmë fletëparaqitjet me notën përfundimtare që ata kanë marrë në provim. Dhe madje në fund plotësojmë një nje raport përfundimtar. Këto janë burokraci të tepruara” thonë asistentët.

Profesorët e USHT-së qëndrojnë në të njëjtën linjë mendimi me studentët dhe asistentët. 

“Është mirë të vjen në shprehje definitivisht kjo metodë elektronike e paraqitjes së provimeve. Problemi më i madh në avancimin e kësaj metode të paraqitjes së provimeve nuk është aplikuar si rezultat i menaxhimit të vështirë dhe të keq të gjërave brenda kuadrove të USHT-së. Por mendoj se ka kushte financiare që të aplikohet kjo metodë dhe të kompjuterizohen aktivitetet në raportin e studentëve me administratorët, dhe shpresoj se kjo do të arrihet në një të ardhme të afërt”, tha Rametulla Ferati, Prof. Universitar i USHT-së në fakultetin Ekonomik.

“Mënyra kompjuterike e menaxhimit duhet të aplikohet duke pasur parasysh edhe zhvillimin e hovshëm të teknologjisë, po ashtu edhe sistemi i Bolonjës parasheh mënyrën elektronike të punës nëpër universitete. Kjo formë e paraqitjes së provimeve dukshëm do të lehtësoj edhe punën e administratorëve edhe të studentëve. Me krijimin e kushteve hapësinore besoj që do të avancohet edhe kjo praktikë elektronike e paraqitjes së provimeve”, deklaroi Jusuf Zejneli magjistër i shkencave juridike administrativo-kushtetuese.

Nga ana tjetër, zëdhënësi i USHT-së, Selam Sulejmani tha se punohet në këtë drejtim duke mos specifikuar data se kur do ta zgjidhin problemin. 

“Universiteti ynë punon në drejtim të digjitalizimit të shërbimeve të ndryshme administrative për studentët. Në një të ardhme të afërt sigurisht se do të funksionalizohet ky sistem dhe këtë infrastrukturë do ta instalojmë në objektet e reja të USHT-së” tha  Sulejmani. /Portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button