Shoqata e të burgosurve paralajmëron protesta masive, kërkojnë dëmshpërblim

Domosdoshmërish nevojitet miratim i ligjit për dëmshpërblimin e të burgosurve, të përndjekurve dhe të diferencuarve ideo-politikë shqiptarë gjatë ish sistemit komunist, nga ana e Parlamentit të Maqedonisë. Kështu konstatuan pjesëmarrësit në debatin e organizuar nga Shoqata e të burgosurve dhe të përndjekurve politikë shqiptarë në Maqedoni në bashkëpunim me Shoqatën e historianëve shqiptarë.

Shpëtim Pollozhani, kryetar i Shoqatës së të burgosurve dhe të përndjekurve politikë shqiptarë në Maqedoni, paralajmëroi padi ndaj shtetit dhe protestë masive që pritet të mbahet me 7 qershor në Shkup, për të kundërshtuar refuzimin që i bëri kuvendi republikan propozim ligjit të tyre të dorëzuar kohë më parë.

“Duke nisur nga fakti tjetër se këtu në vend u ndryshua sistemi politik, ndryshoi kushtetuta dhe kodi penal dhe Parlamenti solli një rezolutë me të cilët u kërkohet falje viktimave të komunizmit në rast se i kërkohet falje ndokujt për një krim të bërë atëherë këtu përfshihen edhe viktimat. Ne në këtë rast në bazë të kësaj të drejte morale dhe juridike përgatitëm një ligj të cilin e dorëzuam në parlament por i cili nuk gjeti zgjidhje, kështu që ne shkojmë në padi kundër shtetit” tha Pollozhani. 

“Momentalisht ka edhe një nismë nga partia në pushtet për miratimin e një ligji për zhdëmtimin e ish të burgosurve dhe të persekutuarve politikisht por edhe ka ngecje në zbatimin e këtij propozimi, por sidoqoftë ne vazhdojmë me aktivitetet tona në lidhje me paditë kështu që në fund, kurorëzimin e gjithë aktiviteteve e kemi me një proteste dinjitoze civilizuese me një mesazh intelektual protestë kjo që do të mbahet me 7 qershor përpara qeverisë së Maqedonisë” tha më tej ai.

Idesë për ligj të posaçëm për ti mbrojtur të dëmtuarit iu ka bashkangjitur edhe Shoqata e historianëve shqiptarë të Maqedonisë, tha Skender Hasani.

“Ishte tribunë debative për çështjen dhe sensibilizimin e opinionit për nevojën e një ligji i cili do ti zhdëmtonte kategorinë e të burgosurve politik ku dihet fort mirë se shtetet EJL që ishin pjesë e sistemit komunist e kanë sjellë këtë ligj, kurse Maqedonia është e vonuar. Ne mendojmë se kjo përkrahje është edhe morale edhe kombëtare por është edhe njerëzore që t’ju ndihmohet që këto të arrijnë qëllimin që të sillet një ligj për ti zhdëmtuar të njëjtit” tha Hasani.

Në këtë debat morën pjesë përfaqësues të shoqërisë civile, unioneve studentore dhe ekspertë të fushës juridike, historike dhe të fushave tjera./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button