Shëtitja në Tiranë

Gjithçka kishte filluar me një telefonatë të zakonshme në një të diele po aq të zakonshme. Mezi kisha gjetur telefonin poshtë kodrës së rrobave të thara që sapo i kisha mbledhur nga ballkoni. Ishte shoqja ime A. Më zuri sikleti – menjëherë fillova të spekuloj. Athua vallë çfarë ideje tani mund të ketë kjo, në mes të së dielës, kur flokët i kam të pakrehur, fëmijët duhet larë, e dy dreka duhet gatuar? Dhe kisha të drejtë… Ideja e saj më rrëqethi. Ishte krejtësisht e pazakonshme.

Kërkonte shumë planifikim. Kërkonte largim të skajshëm nga rutina. Dhe, kisha hiq më shumë se 5 ditë për të planifikuar. A. po diskutonte shkuarjen tonë, bashkë me F. në Tiranë, për të parë premierën e Sex and the City 2. Një mundësi e mirë për të qenë pak kohë bashkë, ne të trija, të vetme, pa fëmijë, pa burra, pa shtëpi- më tmerronin të gjitha këto, sinqerisht! Më zuri paniku! Kisha aq shumë kohë pa shkuar diku pa fëmijët. Kisha aq shumë kohë pa shkuar askund, pikë, me apo pa fëmijë! Më kishte rehatuar komplet rutina komote e përditshme punë-shtëpi, saqë planifikimi i udhëtimit m’u duk ngacmues, sa edhe planifikimi për të ndërtuar pjatën fluturuese prapa banesave, kur isha 10 vjeçe. Me të lëshuar telefonin, në sekondë e paramendova veten në veturë, në autostradë, me jaranesha, drejt Tiranës! 

E tërë java më kaloi nën ethet e shëtitjes në Tiranë, kuptohet. Takimet tona për kafe morën kuptim tjetër. S’kishte më vend për të diskutuar bajamet e fëmijëve, vitaminat që po u jepnim apo viruset që vinin e shkonin. Tani me gëzim të madh po diskutonim transportin, rrugën, hotelin, ftesat ceremoniale për në premierë. Ndjehesha si kur isha fëmijë, një natë para shëtitjes me shkollën, kur gjithë natën nuk bëja gjumë nga gëzimi por edhe frika se mos ngryset qielli dhe binte shi. Nejse…të premten në mëngjes binte shi. Pa ndërprerë madje.

Por, si Duffy në këngën e saj, parada ime nuk do të prishej dot nga shiu. Ne veçmë ishim nisur. Me një ndjenjë pak të hidhur se kisha lënë fëmijët, dhe kisha përpiluar skenarë nga më të ndryshmet për gjërat që do të mund të ndodhnin në 24 orët që do të isha larg; me një çantë jo me smoki e dvojniCe, po plot take, fustane e makijazh, isha nisur në shëtitjen time të parë si grua.

Rruga ishte aventurë në vete. Oh sa u kënaqëm duke biseduar! Kishte kohë që nuk ishim ulur kështu për të folur aq gjatë, pa ndërprerje e pa angazhime të tjera. Po flisnim për jetën që e bënim çdo ditë. Për jetën shumë të lumtur pa keqkuptime, e cila na kishte transformuar më shumë në role sesa në ato që kishim qenë dikur. Folëm e përfolëm pa dyshim – fundja ishim tre femra, pa fëmijë në rrugë për në Tiranë! Përfunduam që tradhtia nuk duhet falur, që akoma kishim kohë për të studiuar, që fëmijët ndonjë herë edhe duhet lënë vetë, që më shpesh duhet mbyllur veshët dhe gojën, e që derisa familja jonë e vogël rritet, ajo e zgjeruar bëhet edhe më e tillë. Përfunduam edhe që nuk kishim më shumë se nga 30 e ca vjet dhe se në fakt, të 30-tat janë të 20-tat e reja.

Të gjitha këto në veturë, në autostradë, posa e kishim paguar dënimin e parë para hyrjes në Kukës. Gjatë rrugës e kisha një ndjenjë të çuditshme… nuk kisha as Borën e as Malin me vete për të më bërë pyetje, ose për të më ngrehur bluzën, ose për të kërkuar diçka çka do nga unë. Si p.sh, e keni parasysh kur keni bërë shumë not, dhe kur bini në shtrat për gjumë, mbyllni sytë dhe keni përshtypjen që krahët akoma janë duke notuar? Ashtu më ndjehej prehri dhe krahët tani që po udhëtoja vetëm.

Arritëm në Tiranë. Nuk kishte ndryshuar shumë nga hera e fundit që kisha qenë para ca vjetëve. Akoma e bukur, akoma e gjallë dhe akoma me shpirt. Por, sërish po përjetoja të njëjtën ndjesi si para shumë viteve, kur përpëlitja të vendosja një lidhje, të çfarëdoshme me këtë qytet, nuk e di se pse?! Por, temë tjetër kjo tani. Hoteli Rogner ishte gjithçka që kishte premtuar ueb-faqja. Nga çarçafët që akoma mbanin erën e hekurosjes së freskët, jastëkët e mëdhenj e të fryrë e deri të pamja drejtë e në oborrin e hotelit. Ndjeheshim shumë mirë, për të mos thënë gjë tjetër. Vendosëm valixhet në dhomë dhe brof në këmbë sërish. S’kishim kohë për të humbur! Kishim vetëm 24 orë dhe duhej shfrytëzuar mirë. Por, i’a bëri dera. Shoh recepsionistin dhe mendoj mos nuk i kishte mjaftuar bakshishi për valixhet? F. hap derën dhe kthehet me një buqetë të madhe me lule dhe më thotë që ato ishin nga Ardi për mua. Stepem… si një romantikë e papërmirësueshme, më kap kokë dhembja nga shqetësimi. Lulet ishin vërtetë të bukura, dhe nuk e kishin ngatërruar adresën. Ato m’i kishte dërguar Ardi me një përkushtim të bukur që akoma e mbaj në kuletë.

Eh nejse… bashkë me këto ethe të mira, nisemi për darkë në Carslberg. U ulëm të trija. Ndezëm nga një cigare. Jo aq nga nevoja për nikotinë sa nga nevoja të përforconim ndjenjën se ishim vetë dhe qejfi duhej bërë tamam. Pas shumë temave të përhapura gjithandej nëpër tavolinën e darkës, e reminishencës së ditëve kur A. ishte gjimnaziste në Tiranë, kishim harruar fare se na priste premiera e filmit. Nuk doja të përfundonte darka. Pamja ishte mahnitëse nga tavolina ku ishim ulur. Jo, nuk po shihja as detin e as perëndimin e diellit. Po sodisja një kënd të Tiranës, me një ndërtesë të boshatisur, me ca rrugë nëpër të cilat rrallë shkohet, e që binte në kontrast të fuqishëm me bardhësinë e tavolinave të çelikut, në stil mesdhetar ku kishim ndenjur po nja tre orë të mira. E shpejtë e shpejtë, e kollofitëm hiq më pak edhe nga një trileqe për secilën dhe u nisëm.

Sërish në rrugë. Këtë herë me taksi edhe pse kinemaja ishte afër, por ama taket dhe fustanet nuk premtonin për një shëtitje të këndshme pranvere në rrugët e Tiranës. Me të arritur në oborrin e kinemasë na prisnin kokteje të shijshme. Fotografë të shumtë shkrepnin fotoaparatet në mysafiret e estradës që ishin të shumta atë natë. Ne nuk ishim estradë. Ishim shumë më shumë. Ishim tre shoqe, bashkë, pa brenga, që po kënaqeshim shumë. Filmi ishte tepër komik. Qeshnim me zemër. Secila nga ato 100 e sa femra, që po shikonin filmin, përfshirë edhe ne, pa dyshim gjenim pak vetvete në personazhet e secilës: Kerit, Samantes, Sharlotës dhe Mirandës.

Përndryshe, jo që prisnim që filmi të na i ngopte apetitet tona intelektuale. Ky nuk ishte qëllimi i udhëtimit tonë. Filmi meriton një diskutim tjetër, në një tjetër blog që pa dyshim do ta ndajë më ju në të ardhmen e afërt. 

Pas filmit, shkuam në klubin Folie për edhe ca kokteje. Këmbët ishin ënjtur, këpucët në çantë, e akoma nuk na kishte lëshuar euforia e filmit. Bukur ishte… edhe më bukur shëtitja tani në këmbë prapa në hotel. Sa shumë folëm edhe aty. Ndoshta pikërisht kjo ishte arsyeja pse kishim ardhur në Tiranë. Për të folur e për t’u dëgjuar më shumë se çka do tjetër. Gjumi na zuri shpejtë, pa paralajmërim duke na ndërprerë mu në mes bisedën.

Ah mëngjesi në Rogner! Një mëngjes bukur i ngrohtë por i durueshëm, në oborrin me shije, pranë pishinës. Me ibriqe të bardha të kafesë së freskët me aromë të fortë, me lëngë të shtrydhur portokalli e me kroasanët të mbushur me çokollatë. Midis gllënjkave të kafesë, e thash më gjysmë zëri: më ka marrë malli për fëmijët. Ishte koha për t’u kthyer në shtëpi.

Arritëm siç edhe kishim shkuar. Me plot gaz, me shumë diskutim, të lodhura paksa. Por ama të freskëta si kurrë më parë. Ishte ky një udhëtim i vogël për dikë por ama hap gjigand për mua! Kisha mësuar shumë gjëra. Që në 24 orët që fëmijët kishin mbetur pa mua, nuk kishte ndodhur tërmet, Ardit i ishte duhur numri i dhomës së hotelit për lulet e jo falë Zotit, për të më njoftuar për ndonjë katastrofë që kishte ndodhur në shtëpi, fëmijët ishin po ata që i kisha lënë në mëngjesin e kaluar. Gjithçka ishte siç e kisha lënë. Por jo edhe unë. Isha kthyer më një rezolutë personale. Që tash e tutje, do të bëhesha më shumë vetvetja. Do t’i gëzohesha moshës dhe të arriturave të mija. Do t’i merrja të gjitha më shtruar, se fundja ajo që do të ndodh, do të ndodh përkundër meje. Që jeta është shumë më shumë se rutina. Është e gjithë ajo që ndodh në ndërkohë…

Lajme të ngjashme

Back to top button