Komuna e Tetovës pa asnjë institucion të decentralizuar

Komuna e Tetovës e cila është një nga komunat më të mëdha në vend për nga numri i banorëve dhe territorit që mbulon nuk ka asnjë institucion nën ingerencë të saj.

Nga fazat e hershme të decentralizimit dhe ndarjes territoriale të vitit 2004, kjo komunë menaxhon vetëm me shkollat fillore dhe ato të mesme, kurse arsimi i lartë, shëndetësia, sporti, kultura ende janë nën kompetencë të pushtetit qendror. Përderisa komunat tjera marrin nën ingerenca edhe objekte të ndryshme sportive komuna e Tetovës në këtë drejtim nuk ka asnjë. Sipas udhëheqësit të sektorit për veprimtari publike në komunën e Tetovës Iljaz Halimi, ky është një hendikep i madh për komunën dhe qytetarët.

“Në territorin e komunës së Tetovës funksionojnë disa institucione siç janë , kulturore, sportive etj por për fat të keq me asnjërën prej tyre nuk menaxhon komuna e Tetovës. Sa i përket qendrës për kulturë, bibliotekës, teatrit, muzeut, galerisë së arteve, stadiumeve do të thotë është një hendikep i madh për qytetarët e komunës së Tetovës, pasi që komuna nuk menaxhon dhe ato nuk janë në funksion siç duhet të jenë pra për qytetarët. Ne si sektor për veprimtari publike, përmes komunës, kemi bërë kërkesë deri tek Ministria e Kulturës që mundësisht qendrën për kulturë të na lënë në menaxhim por përgjigjeja është negative dhe kështu është edhe me institucionet tjera. Deri kur do të zgjasë kjo situatë unë nuk e di, ne do të mundohemi edhe njëherë me një arsyetueshmëri më të gjërë të kërkojnë për nevojën për të menaxhuar me këta institucione që të jenë nën ingerencë të komunës por nuk e dijmë si do të vinë punët”, tha Halimi.

Ai është shprehur se kjo bëhet për shkak se ka gisht politika, pasi që komuna e Tetovës drejtohet nga kuadër i një subjekti tjetër .

“Disa komuna në Maqedoni menaxhojnë me objektet sportive, disa menaxhojnë vetëm me shtëpitë e kulturës e kështu me radhë, dhe të gjitha komunat nuk menaxhojnë me institucionet që veprojnë në kuadër të atyre komunave. Në këtë drejtim përjashtim bën komuna e Tetovës së cilës nuk i mundësohet të menaxhon së paku me ndonjë institucion dhe natyrisht ne jemi të hendikepuar edhe pse bëhet fjalë për një komunë e dyta apo e treta për nga madhësia në Maqedoni ku qytetarët participojnë në buxhetin e shtetit përmes taksave dhe atyre u takon që disa institucione të menaxhohen nga vetëqeverisja lokale. Shpresoj se në fazën e tretë të decentralizimit do të arrihet të menaxhohet me disa institucione, mirëpo nuk jam i sigurt pasi që bëhen dallime se cilat komunë nga cili subjekt i takojnë dhe këtu ka gisht edhe politika, dhe kjo nuk është e arsyeshme sepse në këtë komunë jetojnë popuj të ndryshëm të përkatësive edhe etnike, kulturore, fetare, popullatë e cila nuk i takon asnjë subjekti politik dhe të njëjtit institucione në rast të decentralizimit do të ishin për të gjithë banorët pa dallim partie, feje apo përkatësisë etnike”, tha Halimi.

Shumica e institucioneve në Tetovë akoma janë nën ingerencë të pushtetit qendror.

Lajme të ngjashme

Back to top button