Arrestohet një serb në veri, nisin protestat

Arrestimi i një serbi të dyshuar për rastin e demolimit të pikës mobile të Policisë së Kosovës, e cila ishte vendosur tek “Tre rrokaqiejt”  në Mitrovicë, pas vrasjes së Selver Haradinajt, ka bërë që serbët lokalë sot të bllokojnë rrugën kryesore në lagje.

Policia e Kosovës ka arritur të arrestojë sot J.Miljkovicin (1975), i cili dyshohet se në bashkëpunim me një grup demoluan një pikë kontrolli të Policisë, e cila ishte vendosur te “tre rrokaqiejt”, për të siguruar banorët e lagjes pas vrasjes së Selver Haradinajt në banesën e tij, thuhet në një kumtesë të Policisë së Kosovës.

Arrestimin e J.Miljkovicit e konfirmoi zëdhënësi i Policisë për rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti.
“Personi i arrestuar dyshohet se në bashkëpunim me një grup të personave të tjerë dëmtuan, gjegjësisht demoluan pikën mobile të Policisë së Kosovës që ishte vendosur në lagjen ‘Tre rrokaqiejt’ pas vrasjes së Selver Haradinajt. I dyshuari aktualisht po intervistohet në prani të avokatit mbrojtës”, deklaroi Hoti për Kosovatimes.

Arrestimi i J.Miljkovicit, sipas zëdhënësit Hoti ka ngjallur reagime të serbëve lokal të cilët menjëherë kanë bllokuar rrugën “Kolashini” në afërsi të “tre rrokaqiejve”.

“Rreth 50 qytetarë serbë po protestojnë dhe kanë bllokuar rrugën kryesore në lagjen ku ishte demoluar pika e Policisë. Protesta po vazhdon, ndërsa Policia është aty dhe po mbanë situatën nën kontroll”, ka thënë Hoti.
Ndryshe, i dyshuari J.Miljkovic është arrestuar sot në orët e mëngjesit, në fshatin Suhadoll të Mitrovicës.

Të shtëna armësh në veri

Situata në zonën e “Tre rrokaqiejve” në veri të Mitrovicës është tensionuar, ndërsa banorëve shqiptarë të kësaj zone u është vështirësuar lëvizja. Rreth 100 serbë janë duke protestuar para komunës paralele serbe në veri të Mitrovicës, ndërkohë që janë dëgjuar edhe të shtëna me armë zjarri.
Protestuesit janë duke kërkuar lirimin e Jovica Miljkovicit, i cili është arrestuar sot nga Policia e Kosovës, transmeton Kosovapress.
Në këtë zonë vërehet prani e shtuar e pjesëtarëve të policisë dhe KFOR-it. /Telegrafi/

Lajme të ngjashme

Back to top button