Osmani pret një delegacion nga Banka botërore

Në komunën e Gostivarit qëndroi një delegacion i gjerë prej 60 profesionistëve  të Bankës Botërore si përfaqësues nga vendet e Ballkanit Perëndimor. Me këtë rast kryetari Rufi Osmani prezantoi të arriturat e komunës për periudhën kohore 2009-2012.

Osmani prezantoi strategjinë e menaxhimit të borxhit komunal, të hyrave dhe shpenzimeve dhe reformat e zbatuara të cilat nëpërmjet politikave të shëndosha fiskale dhe menaxheriale mundësuan që komuna të menaxhojë në tërësi borxhin enorm dhe në vitin 2012 të transformohet në komunën me investime kapitale më të mëdha në nivel  të vendit nga buxheti vetjak.

“Politikat diskriminuese të qeverisë së Maqedonisë ndaj komunës së Gostivarit u manifestuan me faktin që në vend se të rritsë normën e TVSH nga 3% në vitin 2009 në 4,5%  kjo qeveri në vitin 2012 duke mos zbatuar ligjin, ka dëmtuar komunën për afërsisht 500 mijë euro”, nënvizoi kryetari Osmani.

Në përfundim të prezantimit tepër të argumentuar para 60 profesionistëve të Bankës Botërore nga Ballkani perëndimor, Osmani potencoi sfidat e radhës së Komunës së Gostivarit që identifikohen me menaxhimin e suksesshëm  të tokës ndërtimore, liberalizimin në rritje të ndërtimeve me ndryshimin e 25 Planeve të detajuara urbanistike, reformimin e mëtejmë të NP “Komunalec”, dhënien me koncesion të deponisë rajonale, shfrytëzimin më të suksesshëm të IPA fondeve, ngritjen e disiplinës fiskale dhe ngritjen e cilësisë së shërbimeve në dobi të qytetarëve.

Lajme të ngjashme

Back to top button