Sulmohet punkti policor në Dobrosin, Daçiq kërcënon

Pas sulmit në punktin policor sot në mëngjes në fshatin Dobrosin, komuna e Bujanocit, është deklaruar edhe ministri i Punëve të Brendshme, Ivica Daçiq. Ai ka thënë se “nuk do t’i shikojmë të qetë si i sulmon dikush policët”, duke pohuar se mbrëmë disa persona shqiptarë nga pjesa e Kosovës kanë kryer sulm ndaj repartit të policisë në Dobrosin, raporton portali Presheva.

Daçiq, ka thënë se në sulmin që ka ndodhë mbrëmë rreth orës 2, në largësi vetëm 100 deri 150 metra nga kufiri administrativ, siç e quan ai kufirin midis Kosovës e Serbisë, në pjesën e fshatit Stubëll, komuna e Gjilanit, gjegjësisht përskaj vendit ku ndodhet edhe njësiti i policisë, askush nuk është lënduar.

“Kanë gjuajtur disa herë me intensitet të shkurtë. Në patrullim kanë qenë katër polic në stacion dhe për fat të mirë dëme nuk ka” ka thënë Daçiq duke shtuar se sulmi është përsëritur dhe se policët kanë reaguar me 10 deri 15 plumba, me të cilën ka përfunduar edhe tërë aksioni. Kjo, konsideron Daçiq është një tregues se sa “janë tregime të zbrazëta” për ruajtjen e paqes në këtë pjesë të territorit.

“Ky është një shembull drastik i thyerjes së marrëveshjes me bashkësinë ndërkombëtare dhe një dëshmi se sa është rrezikuar paqja dhe siguria. Nuk do të rrimë të qetë kur dikush sulmon policët në Serbi përtej linjës administrative… Ne po bëjmë punën tonë ashtu siç e kemi bërë deri tani. Presim reagime të zyrtarëve ndërkombëtarë në lidhje me këtë incident” ka thënë Daçiq./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button