Ish kryeministri Gruevski përballë shumë proceseve gjyqësore

Pas paraburgosjes së tre deputetëve të VMRO-DPMNE-së, tre të tjerëve në burg shtëpiak, paraburgosjes së ish-ministrit të Punëve të Brendshme, Mitko Çavkov, por edhe zyrtarëve tjerë, është Nikolla Gruevski ish-kryeministër dhe kryetar aktual i VMRO-së, që thuajse çdo ditë paraqitet në procese gjyqësore për shpërdorim të detyrës gjatë qeverisjes së partisë së tij me vendin, shkruan REL.

Kundër tij po zhvillohen të paktën katër procese gjyqësore, për mashtrim zgjedhor, rastin e Komunës Qendër të Shkupit kur në një moment kishte urdhëruar sulmin mbi këtë Komunë që drejtohej nga opozita, shpërdorime në disa projekte infrastrukturore, por edhe raste tjera që janë në procedurë parahetimore.

Gruevski ka thënë se proceset kundër tij “janë të motivuara politikisht për të thyer atë dhe partinë e cila ishte fituese e zgjedhjeve, por edhe mbrojtësja më e denjë e popullit maqedon dhe e rendit kushtetues”. Ai ka thënë se veprimet e gjykatave janë të orkestruara nga LSDM-ja e kryeministrit Zoran Zaev, të cilin e akuzon për “instalimin e regjimit në Maqedoni”.

Njohësit e çështjeve juridike thonë se drejtësi duhet të ketë për të gjitha veprat që hetohen ish-zyrtarët, dhe se nga kjo nuk mund të amnistohet as ish-kryeministri, Nikolla Gruevski i cili sipas ekspertëve mban përgjegjësinë kryesore për atë çfarë ka përjetuar vendi gjatë periudhës së kaluar.

Bashkim Selmani, profesor i së drejtës ndëshkimore në Universitetin e Tetovës thotë se Gruevski në shumë raste është paraqitur edhe në cilësinë e prokurorit dhe hetuesit policor, në vend që këtë t’ia linte institucioneve përkatëse.

“Kjo është ajo që e mban peng procesin e reformave në Maqedoninë. Dihet se ai ka qenë zullumi i së keqes, ai ka qenë edhe gjykatës, edhe prokuror, edhe polic edhe kryeministër. Ai ka bërë edhe dëme edhe individuale, institucionale, por edhe nacionale e ndëretnike”, thotë Selmani.

Sipas tij, veprimet e fundit të organeve hetuese japin shpresë se gjyqësori megjithatë ka filluar t’i kthehet punës për të cilën edhe është i obliguar me Kushtetutë, ndjekjen e të gjitha veprimeve të jashtëligjshme.

“Kjo jep sinjale që lenë të kuptosh se tani në Maqedoni askush nuk do të jetë i paprekur pasi këta kanë qenë çerdhja që kanë koordinuar gjithçka. Kjo po jep shpresë se gjyqësori është çliruar në aspektin psikologjik dhe moral për të vepruar”, thotë Selmani.

Njohësit e çështjeve politike, thonë se mënyra e veprimit gjatë qeverisjes me vendin e ka sjellë Gruevskin në këtë gjendje. Profesori Nikolla Dujoski, thotë se si pasojë e qeverisjes jotransparente dhe të dyshimtë, sipas tij, janë rrënuar institucionet, por edhe besimi i qytetarëve në to ka rënë në nivelin më të ulët të mundshëm.

“Makineria dhe mënyra e praktikimit të pushtetit e ka sjellë Nikolla Gruevskin në këtë gjendje në të cilën ndodhet. Ai gjatë qeverisjes 11 vjeçare nuk ka bërë asgjë në zhvillimin e shoqërisë dhe të institucioneve që do të kishin integritet, por përkundrazi ai rrënoi deri në atë shkallë sa që njerëzve nuk i bënte përshtypje qoftë edhe ndonjë masë e vogël që ndërmerrej nga ana e tij”, thotë Dujoski duke shtuar se Gruevskit tani ia kanë kthyer shpinën edhe bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë.

Drejtimin e VMRO-DPMNE-së Nikolla Gruevski e kishte marr në vitin 2003, ndërsa nga viti 2006 ishte emëruar kryeministër i Maqedonisë, post që e ka ushtruar deri në qershor të këtij viti, kur e zëvendësua nga Zoran Zaev i cili edhe kishte publikuar aferën e përgjimeve nga e cila edhe u zbuluan skandalet e qeverisjes së Gruevskit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button