Xhaferi: Jankullovska u ngut kur i quajti të dyshuarit “ekstremistë islamikë”

Zëvendëskryeministri i Maqedonisë, Musa Xhaferi, ka deklaruar se tensionet në Maqedoni po shfrytëzohen gjerësisht për marketing politik, sidomos nga Serbia, e cila ndodhet në një periudhë zgjedhjesh. Në një intervistë për “Tribuna Shqiptare”, Xhaferi ka thënë se ministrja e Punëve të Brendshme e Maqedonisë, Gordana Jankullovska u ngut kur i quajti “ekstremistë islamikë” të dyshuarit për vrasjen e pesëfishtë në Shkup.

Ndërkohë, duke komentuar deklaratat në shtypin maqedonas se ka një politikë të koordinuar ndërmjet Kosovës dhe shqiptarëve të Maqedonisë për krijimin e të ashtuquajturës Shqipëri e Madhe, Xhaferi ka thënë se për këtë nuk angazhohet askush, sepse është e pamundshme. 
“Garancionet e Brukselit dhe të Uashingtonit janë se nuk do të lejohet precedenti i lëvizjes së kufijve të njohur ndërkombëtarisht. Nëse hapet ajo kuti, të gjithë kanë të drejtë legjitime t’i rishqyrtojnë kufijtë”, ka thënë Xhaferi.

Zërave që pretendojnë se tensionet në Maqedoni janë fushatë e koordinuar e shërbimeve sekrete maqedonase, serbe e ruse, Xhaferi u kundërpërgjigjet duke thënë se vetëm gazetarët kanë “kënaqësinë” të proklamojnë variante të tilla konspiracioni./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button