Zharku, i dënuar, shkon në Suedi

Dënimi me tre vjet burg nuk i është bërë pengesë Xhabir Zharkut që me aeroplan nga Prishtina të dalë nga Kosova. Ish-kryetari i Komunës së Kaçanikut, të cilit para dhjetë ditësh Gjykata Supreme e Kosovës ia ka konfirmuar dënimin për vepër penale të detyrimit, ka udhëtuar të shtunën për në Suedi. Zharku që ka shtetësi edhe suedeze, ka udhëtuar në Skandinavi pa asnjë problem.

Udhëtimin e ka konfirmuar vetë Zharku si dhe burime nga Policia e Kosovës. Zyrtarë të saj kanë qenë të habitur kur Zharku është paraqitur në aeroport për kontroll të pasaportave. Meqë nuk kanë pasur ndonjë urdhëresë nga gjykata ata nuk e kanë ndalur, raporton Koha.

I kontaktuar me telefon Zharku ka thënë se në Kosovë do të kthehet brenda dy ditësh. Ai ka thënë se nuk po i shmanget obligimeve të tij, por ka pasur një rast familjar në Suedi dhe për këtë arsye ka udhëtuar pa ndonjë pengesë.

“Nuk kam pasur absolutisht pengesë. Unë biletën e kam pasur, e kam nxjerrë dy javë para vërtetimit të dënimit. Nuk kam pasur pengesa, unë kam udhëtuar nëpërmjet aeroportit”, ka thënë Zharku.

Ai ka thënë se gjithçka ka qenë legale dhe nuk është fshehur nga kurrkush. Ai ka thënë se për këtë udhëtim i ka njoftuar organet, por nuk ka treguar se cilat organe.

“Gjykatën nuk e kam njoftuar, por i kam njoftuar njerëzit e shtetit”, ka thënë Zharku, pa treguar se kush janë këta njerëz.

EULEX-i, ndërkaq ka konfirmuar se Zharku nuk ka masa kufizuese dhe për këtë nuk është i obliguar që ta njoftojë gjykatën për udhëtime. /Telegrafi/

 

Lajme të ngjashme

Back to top button