Abetarja e përbashkët, Berisha-Thaçi në Prizren

Në Prizren në Qendrën Sportive “Sezai Surroi’’ me pjesëmarrje të autoriteteve të larta shtetërore kosovare dhe shqiptare u mbajt ceremonia e promovimit të abetares së përbashkët Shqipëri-Kosovë. 

Më 24 prill u përzgjodh teksti fitues për Abetaren e përbashkët Shqipëri-Kosovë. Teksti i përzgjedhur ka si bashkautorë, Shezai Rrokaj, Mimoza Gjokutaj dhe 2 përfaqësuesit nga Kosova Islam Krasniqi dhe Saranda Kumonova Pozhegu. Ndërsa grafika është realizuar nga Lorenc Buzi. 

Përzgjedhja është bërë nga komisioni vlerësues me përfaqësi të dy palëve. Në garë ishin 13 Shtëpi Botuese, nga të cilat fituese është shpallur Shtëpia Botuese “Pegi” dhe shoqëria “Dukagjini”. Unifikimi i teksteve shkollore është një nisme mes dy ministrive të arsimit të Shqipërisë dhe Kosovës, që do të vijojë edhe me tekste të tjera shkollore.
 
Në këtë ceremoni morën pjesë kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha.
Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, gjatë fjalimit të tij në ceremoninë e promovimit të abetares së përbashkët Shqipëri-Kosovë, këtë ditë e cilësoi si një ditë historike për të gjithë shqiptarët. 

“Më lejoni të uroj këtë ditë të madhe për shqiptarët. Sot është një ditë historike për kombin, kulturën dhe qytetërimin shqiptar. Sot ju prezantojmë abetaren e përbashkët të shqiptarëve, të ardhmen e kombit shqiptar. Kjo është arritje historike. Është abetarja e parë e përbashkët e autorëve nga Shqipëria dhe Kosova. Urime”,- uroi kryeministri i Kosovës. 

Sipas tij, jo rastësisht ceremonia po mbahet në Prizren, kryeqytetin shpirtëror të shqiptarëve, pasi sipas tij, ai është qyteti i bashkimit të shqiptarëve në një komb./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button