Violinisti shqiptar në garë për “Mbretëreshën Elizabetë”

Violinisti shqiptar, Emir Abeshi, është një nga 12 finalistët e një prej konkurseve më të rëndësishme në botën e muzikës klasike “Queen Elisabeth Competition”, që zhvillohet në Belgjikë, bën të ditur gazeta “Shqip”.

Këtë vit, ky konkurrim i themeluar që në vitin 1937 për nder të kompozitorit dhe violinistit Eugène Ysaÿe, njëkohësisht mik i mbretëreshës Elisabeth të Belgjikës dhe burrit të saj, Albert, shënon 75-vjetorin e krijimit. Pas fazës paraprake dhe asaj gjysmëfinale, mesnatën e së shtunës, Arie van Lysebeth, presidenti i këtij konkursi ka shpallur 12 finalistët, mes të cilëve edhe violinisti shqiptar, Emir Abeshi.

Ai nuk ka qenë i vetmi muzikant shqiptar në garë, pasi deri në fazën gjysmëfinale konkurroi edhe violinisti tjetër, Kristi Gjezi, i cili nuk ka mundur ta vazhdojë më tej garën. Emir Abeshi, violinisti nga Elbasani shkon në këtë konkurrim të rëndësishëm pas një sërë vlerësimesh në konkurse të tjera ndërkombëtare. Ermir Abeshi e ka nisur violinën në moshën 6-vjeçare.

Ka studiuar në konservatorin e muzikës “Ghedini” në Itali e më pas në konservatorin e Bostonit “New England”. Vitin e shkuar ai mori çmimin e dytë në konkursin e organizuar nga fondacioni “Rodolfo Lipizer” në Itali, fitues i çmimit “Uto Ughi” dhe i të tjerëve ndërkombëtarë. Ai është një nga bashkëthemeluesit e ansamblit të dhomës “Artur”, me të cilin ka dhënë shumë koncerte. Ndërkohë që violinisti Tedi Papavrami ka krijuar tashmë një emër dhe një karrierë ndërkombëtare, në të njëjtat gjurmë është edhe Emir Abeshi.

I zgjedhur mes 12 finalistëve të “Queen Elisabeth Competition”, tashmë Abeshit do t’i duhet të luftojë për çmim. Ky konkurs, i cili mbahet në Bruksel, ka një jehonë në botën muzikore ndërkombëtare, i ngritur që në krye të herës për të mbështetur talentet e reja. Faza finale e këtij konkursi do të mbahet nga data 21 deri në 26 maj, ditë në të cilën do të shpallen edhe fituesit.

Këtë vit, në konkurrim u përfshinë 88 artistë të rinj, nga mosha 18-30 vjeç, të zgjedhur mes qindra aplikimeve me DVD nga e gjithë bota.

Lajme të ngjashme

Back to top button