Formohet qeveri e përkohshme në Greqi

Kryeministri i qeverisë së përkohshme greke, Panajotis Pikramenos njoftoi në orët e hershme të mëngjesit të sotëm, përbërjen e qeverisë, e cila do të çojë vendin në zgjedhjet e 17 qershorit.

Ajo përbëhet nga 16 ministra, pa zëvendësministra, të cilët janë kryesisht profesorë universiteti, ish-ministra dhe diplomatë. Betimi i qeverisë së re do të bëhet sot paradite, ndërsa nesër shpërndahet parlamenti dhe vendi hyn në fushatën zgjedhore.

Pikramenos u betua mbrëmë rreth orës 20:00, me dorë në Bibël sipas traditës greke dhe më pas zhvilloi deri në mesnatë një takim me Lukas Papadhimos, i cili i dorëzoi detyrën.

Më herët, pasditen e djeshme Pikramenos mori mandatin për të formuar qeverinë nga presidenti i republikës Karolos Papulias.

“Është thjesht një qeveri e përkohshme që do të shkojë në kuadrin e Kushtetutës. Vendi po kalon kohë shumë të vështira. Nën drejtimin tuaj zoti President, duhet ta shpëtojmë atë nga rreziqet, të kalojmë një tranzicion të qetë me qeveri politike”, deklaroi kryeministri Pikramenos.

Ministrër i Mbrojtjes do të jetë Frangos Frangoulis, ministër i Punëve të Jashtme, Petros Moliviatis, ministër i Brendshëm, Antonis Manitakis, ndërsa ministër i Financave është zgjedhur Jorgos Zanias./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button