Topi në SHBA, merr pjesë në Debatin e Nivelit të Lartë

Presidenti Topi i cili ndodhet prej ditës së djeshme në Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të marrë pjesë sot në Debatin e Nivelit të Lartë në Nju-Jork.

Në këtë aktivitet të rëndësishëm të diskutimit të çështjes më të mprehtë të kohës, gjendjes ekonomike në botë, janë ftuar kryetarë shtetesh e qeverish, autoritete të tjera të larta shtetërore e të politikës botërore, si dhe drejtues të organizmave të rëndësishme ndërkombëtare, të Fondit Monetar Ndërkombëtar, Bankës Botërore, Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim, Organizatës Botërore të Tregtisë, etj. Gjatë debatit të nivelit të lartë të përqendruar mbi: “Gjendjen ekonomike botërore”, do të trajtohen një sërë tematikash mbi sfidat komplekse makro-ekonomike, me të cilat përballet bota sot si papunësia, borxhi, inflacioni, tregtia dhe investimet, si dhe rregullimi i sektorit financiar.

Presidenti i Republikës do të mbajë një fjalë në kuadër të këtij debati, në të cilën do të përcjellë disa pikëpamje në lidhje me gjendjen ekonomike të krijuar nga kriza financiare dhe ekonomike.

Vizita zyrtare e Kreut të Shtetit shqiptar pranë organizatës më të madhe në botë për sigurinë ndërkombëtare, zhvillimin ekonomik dhe barazinë sociale, parashikon edhe një sërë takimesh të rëndësishme, si me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-mun, etj., me drejtuesit e Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan, (NAAC) si dhe do të dekorojë Federatën Panshqiptare të Amerikës “VATRA” e mjaft personalitete të shquara shqiptare e amerikane me një kontribut të rëndësishëm në promovimin e vlerave atdhetare, kulturore e paqedashëse të shqiptarëve. /Oranews

Lajme të ngjashme

Back to top button