Kosovë, PDK po falsifikon historinë!

Partia Demokratike e Kosovës (PDK), që do të bëjë shkencë me 400 e 80 mijë euro në vit, e ka nisur ‘Javën e Shkencës’ sikur të ishte ‘java e shkencës së vet’, thuhet në një reagim të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).

“Në sallë, në pamjet që u bënë publike, ishin të gjithë, nëpunës e shërbëtorë, zëvendës e drejtorë PDK-istë, por aty munguan shkencëtarët. Dhe kjo ishte e pritshme meqë shkencëtarët e dijetarët e Kosovës nuk kanë të bëjnë me ‘shkencën’ e PDK-së, me mashtrimet e falsifikimet e qeverisë së saj”.

“Është qeveria e PDK-së që tash e një vit, ditë pas dite, po falsifikon historinë e popullit shqiptar, qeveria që po falsifikon edhe të tashmen e Kosovës, qeveria që nuk dëshiron ta dëgjojë të vërtetën në asnjë fushë dhe për asnjë çështje”.

“Nga kjo Javë, PDK-ja përjashtoi edhe shkrimtarin e historianin e njohur, Jusuf Buxhovin, njeriun që për shkencën ka bërë më shumë se që mund të bëjnë të gjitha ekipet që mund të ngarkojë ministri Ramë Buja për të falsifikuar. Buxhovi, edhe pse i ishte konfirmuar pjesëmarrja me një ligjëratë, më 17 maj, u përjashtua, sepse kishte kërkuar shkarkimin e Bujës, kur ky urdhëroi falsifikimin e historisë shqiptare”.

“Sjelljet e tillë të qeverisë së PDK-së, LDK e konsideron skandaloze dhe të papranueshme. LDK kërkon veprime të përgjegjshme, respektim të punës e të dijes së figurave të njohura të kombit, si dhe përgjegjësi për qeveritarët që po sillen papërgjegjshëm”, thuhet në reagim.

LDK konsideron se kjo qeveri në vijimësi po e dëmton arsimin dhe shkencën në Republikën e Kosovës, po shkel autonominë e institucioneve arsimore e shkencore, duke imponuar interesa të ngushta e duke rekrutuar militantë partiakë si kuadër akademik./Telegrafi/

Lajme të ngjashme

Back to top button