Ukraina lejon BE të ekzaminojë Timoshenkon

Ukraina ka pranuar që Bashkimi Evropian të dërgojë ekspertë për të vlerësuar gjendjen shëndetësore të ish-kryeministres, Julia Timoshenko dhe procesin ligjor kundër saj.

Kryeministri Mikolla Azarov i ka thënë Parlamentit Evropian se ekipi mjekësor i BE-së mund të shkojë në Ukrainë për të ekzaminuar Timoshenkon, e cila po vuan dënimin prej shtatë vjetësh burgim, për shkak të, siç është thënë, abuzimeve me detyrën zyrtare.

Kreu i PE-së, Martin Shulz, e ka vlerësuar këtë si “një hap të vërtetë përpara”. Timoshenko aktualisht ndodhet në spital, për trajtim nga greva e urisë.

Ajo është dënuar tetorin e kaluar, ndërsa seanca e apelit është shtyrë deri më 26 qershor.

Burgosja e Timoshenkos ka tensionuar marrëdhëniet midis Ukrainës dhe Bashkimit Evropian, i cili dënimin e konsideron të motivuar politikisht. Ditë më parë liderët e BE-së bojkotuan një samit që do të zhvillohet në Kiev në 11 dhe 12 maj, pikërisht në shenjë proteste ndaj trajtimit që i ishte bërë në burg ish-kryeministres ukrainase.

Lajme të ngjashme

Back to top button