Rasti “Monstra” në Gjykatën Penale, ende s’është formuar trupi gjykues

Rasti “Monstra” nga Gjykata Supreme është dorëzuar në Gjykatën Themelore Shkupi 1, ku pritet që të nis procesi i ri-gjykimit. Sipas procedurës, fillimisht duhet të caktohet trupi gjykues, ndërkaq më pas edhe të caktohet termini për seancë gjyqësore, megjithatë deri më tani nga Gjykata Themelore nuk japin informata për rastin në fjalë, shkruan Portalb.mk.

“Lënda “Monstra” është kthyer nga Gjykata Supreme për veprim të mëtutjeshëm në Gjykatën Themelore Shkupi 1 Shkup dhe në bazë të rregullores gjyqësore, lënda duhet t’i jepet gjyqtarit të njëjtë që udhëheq me Këshillin Gjykues, ndërkaq kur të caktohet debati për këtë lëndë opinioni do të njoftohen në kohë”, thonë për Portalb.mk nga Gjykata Penale.

gjykata themelorePala mbrojtëse thotë se ende nuk ka marrë ndonjë njoftim për atë se kur do të fillojë procesi i ri-gjykimit, megjithatë shpreson që këto ditë të, ndërkaq shpreson që në seancën e parë të tërhiqet akuza për të dënuarit.

“Ende nuk dimë asgjë për terminin, ende nuk është formuar trupi gjyqësor presim këto ditë, shumë shpejtë të caktohet se kush do të marrë lëndën në gradën e parë. Do të ketë tjetër prokuror nga Departamenti i Krimit të Organizuar. Unë pres që në seancën e parë të shpallen të dënuarit të pafajshëm, pasi që nuk ka prova se ata e kanë kryer veprën”, thotë për Portalb.mk, avokati Naser Raufi.

Nga ana tjetër, pala mbrojtëse thotë se sa të shpallet pafajësia e të dënuarve, ata do të kërkojnë që të dëmshpërblehen për periudhën që kanë kaluar në burg.

“Kur të bëhet procesi i plotfuqishëm do të kenë dëm për dëmshpërblim dhe do të kërkojmë dëmshpërblim. Tash nëse në gradën e parë tërhiqet aktakuza, dhe besoj që ajo do të ndodh, atëherë të dënuarit kanë të drejtë për dëmshpërblim”, thotë Raufi.

3 persona në shtëpi, 2 në arrati, 1 në burg

Gjykata Supreme më 24 nëntor e kaluar solli vendim që lënda “Monstra” të shkojë në ri-gjykim, ndërkaq të dënuarit, Sami Luta, Haki Aziri, Agim Ismailloviq dhe Fejzi Aziri të lirohen nga burgu nën masa të kujdesit, gjegjësisht të mos lejohen që ta lëshojnë qytetin e Shkupit dhe të paraqiten te personi zyrtar në Gjykatën Themelore Shkupi 1 çdo të martë dhe të premte në periudhën prej orës 12 deri në orën 14”.

Prej këtyre katër personave, vetëm Fejzi Aziri ende nuk është liruar nga burgu pasi që akuzohet edhe për një rast tjetër për të cilën i është shqiptuar masa e dënimit prej 6 vjet e gjysmë, gjegësisht për gjuajte në fermën “Belimbegovo”.

Momentalisht, në arrati gjenden edhe dy të akuzuarit Afrim Ismailoviq dhe Alil Demiri, të cilët momentalisht janë në Kosovë. Gjatë vitit të kaluar, Gjykata e Krimeve në Prishtinë ka liruar nga burgu.  Lirimi nga akuza si të pafajshëm i dy të dënuarve, të cilët në Maqedoni janë dënuar me burgim të përjetshëm, ka ardhur pasi Trupi Gjykues i Gjykatës në Prishtinë ka konstatuar se argumentet e Prokurorisë për Krime të Rënda në Maqedoni nuk mbajnë. Zyra e Besnik Berishës, avokati i dy shqiptarëve nga Shkupi, ka njoftuar asokohe se vendimi përfundimtar për pafajësinë e Ismailoviqit dhe Demirit është shqiptuar ditë më parë, pas përfundimit të dënimit me nga 2.5 vjet në burgun e Dubravës për armëmbajtje pa leje.

Afrim Ismailoviq dhe Alil Demiri
Afrim Ismailoviq dhe Alil Demiri

Dje në Shkup janë takuar ministrat e Brendshëm të Maqedonisë, Oliver Spasovski i Kosovës Flamur Sefaj, megjithatë ata thanë se nuk kanë biseduar diçka konkretisht për rastin “Monstra”.

Ne biseduam për të gjitha çështjet e hapura në kuadër të parametrave juridik të cilat do të mundësojnë ndjekjen e individëve që kanë marrë pjesë në aktivitete kriminale pa dallim se në cilin territor kanë ndodhur krimet. Nuk kemi folur për raste konkrete, megjithëse kemi nënshkruar protokoll ku si në Kosovë dhe Maqedoni, secili që ka kryer vepra kriminale duhet të përgjigjet për atë”, tha ministri i Punëve të Brendshme të Maqedonisë, Oliver Spasovski.

Nga ana tjetër, Sefaj tha se, Kosova zyrtare do të veprojë në bazë të ligjit dhe kompetencave të saja.

“Ne do të veprojmë komfor ligjeve në fuqi duke mundësuar fqinjësi të mirë, duke respektuar ligjet e të dyja shteteve në bazë të konventave ndërkombëtare”, tha ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Flamur Sefaj.

Afrim Ismailoviq dhe Alil Demiri ishin arrestuar mars të vitit 2013, në një banesë në rrugën “Mehmet Gradica” të Prishtinës, ndërsa i kanë thënë prokurorisë se kanë banuar me qira nëpër banesa të ndryshme që nga koha e arratisjes prej Maqedonisë në vitin 2012. Banesat, ata i kanë kërkuar dhe gjetur nëpërmjet internetit.

Te të arratisurit nga drejtësia e Maqedonisë, policia kosovare kishte gjetur një arsenal të tërë armësh, të cilat Afrim Ismailoviqi i kishte arsyetuar me nevojën që të dy kishin për t’u mbrojtur, pasi siç kishte thënë ai në Prokurori, ndiqeshin nga shërbimet sekrete të Maqedonisë. Te Ismailoviqi e Demiri policia e Kosovës kishte zbuluar dy armë automatike, një pistoletë, dy bomba dore, dy siguresa detonatorësh dhe 31 fishekë.

“Monstra”

Halil Demiri, vëllezërit Afrim dhe Agim Ismailoviq, Fejzi Haziri, Haki Haziri dhe Sami Luta, janë dënuar me burg të përjetshëm për rastin “Monstra”, nën akuzën se e kanë kryer vrasjen e pesëfishtë në liqenin e Smillkovës.

Vendimi për gjashtë të akuzuarit e rastit Monstra, acaroi shumë qytetarët si dhe juristët të cilët vlerësojnë se nuk kishte prova te mjaftueshme për t’i shpallë ata fajtorë dhe të ju shqiptohet dënim me burg të përjetshëm. Ky rast shkaktoi bujë të madhe në Maqedoni, sidomos te popullata shqiptare duke u organizuar edhe protesta masive një muaj me radhë. Edhe pse disa herë u përfol në opinion nga lideri i LSDM-së, se ka material të përgjuar për rastin “Monstra”, megjithatë nga “bombat” e publikuara, për këtë të fundit nuk nxori asgjë.

LEXO NË LIDHJE ME TEMËN:

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button