Bexheti: Maqedonia nuk mund të lavdërohet me rezultate në fushën e ndërmjetësimit

Mediacioni si mekanizëm për lehtësimin e kontesteve gjyqësore mes personave civil thuajse nuk ka përdorim praktik në Maqedoni. Edhe pse në vitin 2006 është miratuar Ligji për Mediacion ai nuk përfillet aspak. Është kjo një çështje brengosëse si për qytetarët dhe për personat të cilët kanë ekspertizën e tyre si mediatorë gjyqësor, thonë nga Instituti për politikë evropiane.

Këtë e pranon edhe vetë Ministri i Drejtësisë Blerim Bexheti, i cili në tryezën e rrumbullakët kushtuar ndërmjetësimit sqaroi problemet me të cilat ballafaqohet ky sistem juridik.

“Megjithatë, edhe përkundër themelimit të sistemit të ndërmjetësimit, për këto pesë vjet e gjysmë që kaluan, Republika e Maqedonisë nuk mund të lavdërohet me rezultate të rëndësishme, por përkundrazi, po ballafaqohet me sfida të rëndësishme në funksionimin e sistemit të ndërmjetësimit” – theksoi ai.

Ai përmendi edhe vështirësitë në punën e Odës së Ndërmjetësuesve, e cila thuajse nuk funksionon.

“Oda e Ndërmjetësuesve, që është e themeluar në vitin 2007, dhe që për momentin funksionon vetëm me 166 ndërmjetësues të regjistruar në Listën e Emrave të ndërmjetësuesve, ende nuk është e qëndrueshme sa i përket resurseve njrëzore dhe finansave, pasi që nuk ka burime stabile të të ardhurave. Oda ende nuk i ka sjellë nën aktet e parapara ligjore, edhe pse obligimi për këtë rrjedh nga ndryshimet ligjore të vitit 2009. Në vitin 2011 nuk është mbajtur as Kuvendi i rregullt vjetor i Odës, ndërsa po vonohet edhe me Kuvendin vjetor të këtij viti, i cili disa herë po anulohet për shkak të pamundësisë për të krijuar kuorum për punë të Kuvendit.  E gjithë kjo sugjeron në një indiferencë të caktuar ose të rezignimit  të ndërmjetësuesve për angazhimin e tyre të madh dhe promovimin e konceptit të ndërmjetësimit në Republikën e Maqedonisë.”

Debati u mbajt sot në Alexander Palace me fillim nga ora 10:00. /Portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button