Strugë, hit “martesat me letra”

Emigrimi drejt vendeve perëndimore edhe pas liberalizimit të vizave është trend për të rinjtë e Strugës dhe mbetet i lakmueshëm në masë të madhe prej tyre, dhe mbi të gjitha nuk ka ndryshuar shumë nga vitet e kaluara kur lëvizja drejt vendeve evropiane ishte e kufizuar.

Rruga më e shkurtër e ndjekur nga rinia strugane për t’u akomoduar përfundimisht në vendet e Bashkimit Evropian dhe vendet e tjera të kontinentit, është kurorëzimi me partnerë të cilët jetojnë në ato vende, dhe që e kanë të rregulluar statusin e qëndrimit të përhershëm atje.

Ky konstatim është lehtë i verifikueshëm sepse konfirmohet nga të gjitha zyrat e ofiqarisë, ku në mënyrë decide vërtetohet se interesi për ”martesat me letra’ siç i quajnë në Strugë, nuk është reduktuar por ka mbetur në nivelet e mëparshme. Nga tetëdhjetë martesat e lidhura në vitin 2011 në zyrën e Ofiqarisë të fshatit Ladorisht, e cila mbulon një zonë të gjërë prej disa fshatrash me rreth 15 mijë banorë, shtatëdhjetë përqind e kurorëzimeve janë lidhur me partnerë bashkëshortorë që jetojnë jashtë vendi, konfirmohet nga kjo zyrë.

Shpend Polisi, administrator i kësaj zyre, tregon se kjo tendencë ka qenë në këto nivele edhe në vitet e kaluara, pa ndryshime thelbësore në këtë drejtim.”Shumica e kurorëzimeve në zyrën tonë, lidhen gjatë muajve të verës sidomos në korrik dhe gusht, kur edhe në masë të madhe kryhen ceremonitë martesore në Strugë.

Mund të them se synimi primar i çifteve që kurorëzohen tek zyra jonë, mbetet emigrimi në vendet evropiane, dhe ato përtejoqeanike .Sipas të dhënave të marra gjatë vitit 2011 rezulton, se vetëm tridhjetë përqind e çifteve të sapomartuara do të banojnë në vendlindje në bazë të verifikimeve tona, nga kjo zonë që mbulon zyra jonë ”, përfundon Polisi. Ndërkohë, nga totali i tetëdhjetë martesave të lidhura gjatë vitit 2011 në zyrën e ofiqarisë të fshatit Ladorishtë, njëmbëdhjetë martesa janë lidhur me partnerë me shtetësi të huaj.

Shpërngulja apo emigrimi i çifteve të sapomartuar në drejtim të vendeve evropiane dhe tejoqeanike, tashmë ka dhënë impaktin negativ në zvogëlimin e numrit të nxënësve në shkollat fillore të Komunës, ku nga viti në vit shënohet zvogëlim i numrit të filloristëve.

Kjo tendencë nëse vazhdon edhe në të ardhmen me këto ritme, do të determinojë që një pjesë e shkollave në Strugë të mbyllen për shkak të mungesës së nxënësve. Arsyet e braktisjes së vendlindjes në të shumtën e rasteve nga të rinjtë janë për motive ekonomike, mosprespektivës si dhe shkallës së lartë të papunësisë. / portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button