Topi i përkulet Mehmet Pashë Derallës

Në orët e pasdites presidenti shqiptar Bamir Topi ka qëndruar për vizitë në fshatin Gradec të komunës së Vrapçishtit për të bërë homazhe para bustit të ministrit të parë shqiptarë të mbrojtjes Mehmet Pashë Deralla. 

“Sot jam këtu për tu përkulur para ministrit të parë shqiptar Mehmet Pashë Deralla i cili ka qëndruar krahë Ismail Qemalit. Sot shqiptarët jetojnë më të lirë dhe më të bashkuar. Ne para do vitesh ishim të izoluar dhe nuk mundeshim të jemi bashkë e të shiheshim, sot kemi qëllime tjera, të jetojmë në një shtet tjetër, ndërsa ju me maqedonasit bashkë do të ndërtoni një Maqedoni evropiane” tha Topi.

Në këtë ceremoni ishte i pranishëm krytari i Bashkimit Demokratik për Integrim Ali Ahmeti, ministra dhe deputetë të BDI-së ndërsa mijëra qytetarë të këtij rajoni kishin dalur për të pritur Presidentin shqiptar.

Ahmeti tha se vizita e Topit është shumë e rëndësishme në drejtim të konsolidimit të marrëdhënieve mes Maqedonisë dhe Shqipërisë, të evidentimit të kontributit të faktorit shqiptar në Maqedoni, si dhe të zbatimit të standardeve evropiane, për të arritur synimin e përbashkët, që sa më parë të jemi pjesë e Evropës së Bashkuar.

Pas bisedës së Topit me Ahmetin, kryetari shqiptar u shpreh se palët duhet të tregojnë gjithnjë maturi e veprim politik të përgjegjshëm.

“Përmirësimi i dialogut politik mes partive politike shqiptare në Maqedoni do të ndikojë në mënyrë evidente në përballimin e të gjitha sfidave të kohës” tha Topi. /portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button