AGPK: Kuvendi përdhunoi Lirinë e Shtypit

Asociacioni i Gazetarëve Profesionistë të Kosovës (AGPK) është alarmuar të premten nga forma e kalimit në Kuvend të Projektkodit Penal të Republikës së Kosovës, pasi sipas tyre, Projektkodi, ashtu siç është votuar sot nga Kuvendi i Kosovës përdhunon, shkel dhe pamundëson lirinë e shtypit.

Projektkodi Penal i Republikës së Kosovës, i sapovotuar nga Kuvendi i Kosovës, është veprim antidemokratik dhe i paparë në asnjë vend me standarde evropiane, të cilat pretendon t`i arrijë Kosova.

AGPK thekson se është e çuditshme se si deputetët nuk kanë respektuar asnjë pikë të marrëveshjes së arritur ndërmjet AGPK-së, shoqërisë civile dhe Komisionit për Legjislacion, marrëveshje e cila është përkrahur edhe nga sponzoruesi i këtij Kodi, Ministria e Drejtësisë.

“AGPK ka rekomanduar që Neni 37, i cili flet për përgjegjësinë e autorëve, kryeredaktorëve, botuesve dhe të tjerëve, të largohet nga Projektkodi Penal. Ky nen rregullon përgjegjësinë e redaktorëve për një vepër penale që nuk është e përcaktuar me vetë Projektkodin Penal. Për më tepër, përgjegjësia e personave juridikë rregullohet me ligj të veçantë dhe AGPK nuk e sheh të nevojshme që vetëm për mediat të parashihet përgjegjësi penale shtesë. Përgjegjësia e tillë vetëm sa mund të keqpërdoret nga sistemi i drejtësisë. Në Kroaci dhe në Shqipëri një përgjegjësi e tillë nuk parashihet fare në kodin penal dhe kjo nuk i ndalon gjykatat që të kërkojnë përgjegjësi nga mediat”, thuhet në reagimin e AGPK-së.

Gjithashtu, AGPK ka kërkuar që mbrojtja e burimeve, që është paraparë me Nenin 38, të ndryshohet.

Sipas këtij neni, gjykata mund të kërkojë zbulimin e burimeve kur gazetari shkruan për vepra penale, si degradimi i integritetit seksual, ofrimi i materialit pornografik personave nën moshën gjashtëmbëdhjetë vjet, përvetësimi në detyrë, marrja e ryshfetit dhe dhënia e ryshfetit.

AGPK i bën thirrje Presidentes së Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, që të kthejë këtë ligj prapa në Kuvendin e Kosovës dhe të mos e nënshkruajë një akt që fundos demokracinë dhe lirinë e shtypit në Kosovë.

AGPK paralajmëron se përmbajtja e tillë e Kodit Penal është dhe do të mbetet e papranueshme për komunitetin e gazetarëve dhe mediave në Kosovë. /Telegrafi/

Lajme të ngjashme

Back to top button