Nuk ka drejtësi pa u kapur fajtorët

Ditëve të fundit duket se forcat e rendit, sigurisë dhe drejtësisë në vend kanë kapur punën më seriozisht. Së pari ata përfundimisht i ranë pas zbardhjes së rastit famëkeq të sulmit të parlamentit më 27 prill. Hetuesia dhe policia kanë arrestuar dhe padisin formalisht mbi tridhjetë të dyshuar si organizatorë të rastit. Ndër ta numërohen edhe gjashtë deputetë, të cilëve në mënyrë të shpejtë dhe efikase ju hoq edhe imuniteti që të mund të përndiqen penalisht. Posaçërisht inkurajues dhe për t’u përshëndetur është fakti që për herë të parë drejtësia po ndjek maja të larta të politikës.

Rasti i dytë që jep shpresë se drejtësia më në fund mund të nis e futet në binarë normal është lirimi i të akuzuarve nga rasti Monstra, qoftë ky edhe i përkohshëm. Në njëfarë mënyre akti i këtillë konfirmon dyshimet e kahershme të popullatës shqiptare se procesi gjyqësor ndaj tyre ka qenë i montuar.

Mirëpo edhepse këto ngjarje janë shpresëdhënëse, nuk ka vend për eufori. Vërtetë ka shenja se drejtësia në Maqedoni mund të kthehet, por duhet thënë se realisht deri tani nuk ka ndodhur asgjë. Lirimi i të burgosurve të Monstrës, dhe më parë i atyre të Sopotit, në fakt nuk është vendosje e drejtësisë në vend, sa është shlyerje e padrejtesisë së mëparshme. Në rastin e 27 prillit vërtetë është bërë hap gjigant përpara, por është mëse e qartë se ajo nuk është vepër e menduar, sa është e zbatuar, nga të akuzuarit e tanishëm dhe se ngelin akoma “peshq të mëdhenj” për t’u kapur. Pa u zbuluar dhe arrestuar fajtorët e vërtetë në dy rastet e para dhe pa u identifikuar dhe arrestuar koka e ngjareve të 27 prillit është herët të flasim për çfarëdo drejtësie. Ngelen pa u zbardhur edhe një morri rastesh tjera, në rradhë të parë “Lagja e Trimave”. Por të shkojmë me rradhë.

Sopoti. Dihet botërisht se të akuzuarit e rastit Sopoti kanë vuajtur dhjetë vite burg të pafajshëm. Ata janë detyruar të pranojnë krimin nga torturat nga ana e policisë ose shërbimeve sekrete. Megjithëse janë lënë të mbrohen në liri, rasti i tyre akoma nuk ka përfunduar dhe ata akoma nuk janë shpallur ligjërisht të pafajshëm.

Në rastin Sopoti drejtësia do të quhet e servuar kur këta persona të lirohen përfundimisht nga akuza dhe të dëmshpërblehen për 10 vitet e humbura kot në burg, pa marrë parasysh se sa mund t’i kushtojë kjo shtetit. Për përmbyllje përfundimtare të rastit duhet të kapen disa njerëz tjerë. Së pari ata që kanë kryer krimin. Së dyti ata që kanë ushtruar dhunë dhe torturë mbi sopotasit e pafajshëm. Dhe e treta dhe më e rëndësishmja, ata që kanë dhënë urdhërin të montohet rasti. Vetëm atëherë ky rast do të mund të quhet i mbyllur dhe do të mund të thuhet se drejtësia është vënë në vend.

Monstra. Ky rast gjithnjë e më tepër po i përngjan Sopotit, por po zhvillohet me disa vite vonesë. Gjithsesi është për t’u përshëndetur lirimi i të arrestuarve, por në të vërtetë zbardhja e rastit as që ka filluar. Së pari të arrestuarit duhet përsëri të përballen me gjyqe, me gjasë edhe disa vite tjera me rradhë. E dyta dhe më e rëndësishmja, ende nuk ka asnjë indikacion se ka të dyshuar tjerë si ekzekutorë të vrasjeve, as porositësit e këtij krimi makabër. Edhe në këtë rast e drejta do të ketë triumfuar vetëm pasi të gjenden dhe arrestohen organizatorët dhe ekzekutorët e vërtetë.

27 prilli. Befasi e vërtetë pozitive tek arrestimet për sulmin ndaj parlamentit ishte niveli i lartë politik i të arrestuarve. Ndër ta numërohen gjashtë deputetë, janë kontrolluar si të dyshimtë edhe dy të tjerë, si dhe ish-ministri dhe eprori i lartë policor Mitko Çavkov, pa numëruar nja dy dyzina figurash tjera që ndollën turmën gjatë muajve paraprakë.

Me gjithë startin e mirë të procesit të zbardhjes së këtij rasti, është mëse e qartë se Çavkovi nuk ka qenë koka e vërtetë e këtij operacioni. Askush nuk beson se ai ka organizuar ngjarjet kokë më vete, por thjeshtë se ai ka qenë ekzekutori kryesor i tyre. Nga ana tjetër ai ka patur pozitë tepër të lartë dhe realisht janë vetëm dy figura që kanë mundur t’a urdhërojnë: Nikolla Gruevski dhe Sasho Mijallkov. Prandaj rasti i 27 prillit nuk mund të konsiderohet i suksesshëm përderisa nuk zbulohet se cili prej këtyre dyve, apo të dy bashkë, është ideatori i vërtetë të operacionit. Thjeshtë nuk mund të flitet për drejtësi pa arrestim të Gruevskit, Mijallkovit ose të dyve bashkë.

Raste tjera. Tre rastet e lartëpërmendura janë më eklatantet dhe hë për hë më aktualet, por realisht ka edhe një morri ngjarjesh e procesesh tjera të mjegullta, me një sërë dyshimesh për vërtetësinë e tyre. Ndër më të njohurit gjithsesi është rasti i Lagjes së Trimave, ku sipas fjalëve të vetë Zaevit janë të përzier figura të larta të sigurimeve të ndryshme dhe figura politike. Pa u zbuluar dhe persekutuar gjithkush që ka patur gisht në këto ngjarje vërtetë nuk mund të flitet për drejtësi në vend.

 

E përbashkëta e gjithë këtyre rasteve është se drejtësia është zbuluar vetëm pjesërisht. Ç‘është më e rëndësishmja, në asnjërin nga rastet nuk janë kapur fajtorët kryesorë, montuesit, ideatorët, kokat e vërteta të këtyre krimeve të hatashme për të cilët kanë vuajtuar të pafajshëm tjerë. Drejtësia nuk është servuar pa u arrestuar, gjykuar dhe burgosur edhe ata.

 

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Një koment

  1. Analize e mirefillte e nje teme te mediatizuar mjaft keto dite. Dicka si antipod i shkrimeve siperfaqesore vetem informative qe shiten per kolumna dhe kolumna nuk jane. Te lumte Robert, vetem vazhdo ne kete stil dhe me kete nivel.

Leave a Reply to lexuese Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button