Bie standardi jetësor, çmimet vazhdojnë të rriten

Rritja  e çmimeve të karburanteve dhe të energjisë elektrike ka bërë që çmimet e produkteve më të domosdoshme për jetë të arrijnë majat.  Standardi jetësor i qytetarëve çdo ditë bëhet më i ulët, ndërsa inflacioni rritet pa ndalesë.

Propozim rebalanci i buxhetit ka vënë në  pikëpyetje edhe realizimin e shumë investimeve të paralajmëruara kapitale, sidomos të atyre në viset të banuara me shqiptarë, realizimi i të cilave nuk ka filluar akoma.

Për ekspertët ekonomik dhe financiarë kjo situatë ka qenë e pritshme dhe burimin e saj e shohin te projektimi i gabuar i buxhetit për këtë vit.

Ministria e financave dhe qeveria ka bërë gabim që nga projektimi i buxhetit  të vitit 2012 me rritje prej 4.5 për qind, dhe kjo solli në dështimin  e tij brenda kartelit të parë, pra nuk mundi të rezistoj as edhe tre muaj, thotë për Portalb profesori universitar Izet Zeqiri.  Sipas tij gabimet mund të vërehen  nga analiza e  të hyrave vetëm  gjatë tre muajve të parë janar, shkurt dhe mars ku konstatohet  qartë se rënia ekonomike është shumë e madhe  dhe se të hyrat  nuk realizohen sipas planit të paraparë. 

‘Mendoj se shkurtimet me rebalanc duhet të jenë mbi  150 milion euro me qëllim që të arrihet stabilitet deri në muajin shtator të këtij viti.  Është shumë e rëndësishme që me rebalanc të mos shkurtohen investimet kapitale në infrastrukturë, por të shkurtohen investimet jo fitimprurëse siç janë shpenzimet operative  nëpër ministri që arrijnë afro 600 milion euro dhe që janë të dedikuara për vetura, mallëra, shërbime dhe shpenzime të tjera të qeverisë’ tha Zeqiri.
Pasi që arka shtetërore është e zbrazët Zeqiri dyshon se ndonjë investim kapital në viset e banuara me shqiptar do të mund të realizohej.

‘Ky projektim i buxhetit me siguri do të shkurtojë projektet infrastrukturore në zonat shqiptare, siç janë rehabilitimi dhe ndërtimi i rrugës Tetovë-Jazhincë, në ndërtmin e terminalit në Jazhincë, projektin e ndërtimit të rrugës Tetovë-Bogovinë-Gostivar, rrugën Haraqinë-Likovë, Stançiç-Bellanoc,   Kërçovë-Izvor-Boshkov Most në Dibër dhe me siguri do të ndikojë në mos realizimin e Zonës së lirë në Tetovë. Nuk do të realizohet biblioteka në Tetovë, as shkollat e mesme në Çair, Haraqinë dhe Saraj’, deklaron profesori Izet Zeqiri.

Eksperti ekonomik dhe ish-ministër i financave Xhevdet Hajredini thotë se nuk duhet tu besohet  statistikave zyrtare pasi sipas tij, ato manipulohen nga qeveria. Bëhet manipulim i madh me të dhënat statistikore dhe ato nuk pasqyrojnë realitetin, jo vetëm tek përqindja e inflacionit por edhe te projektimi i rritjes ekonomike, deklaron për Portalb Hajredini. 

‘Qytetarët janë dëshmitarë të rritjes së të gjitha çmimeve të prodhimeve të domosdoshme për jetesë,  përqindja  e inflacionit është shumë më e madhe se sa që shpallet nga Enti i statistikave,  rritja e çmimeve do të ndodh edhe në të ardhmen, dhe kjo jo për pasojë të ecurive globale ekonomike, por për faj të politikave të gabuara ekonomike të kësaj qeverie’ thotë Hajredini.

‘Është naive të flitet për investime në viset shqiptare, viset tona ka kohë që janë lënë pas dore,  shkollat as nuk fillohen të ndërtohen, ndërsa ato që fillohen nuk mbarojnë kurë, ja për shembull Ndërtesa e USHT-së në Tetovë edhe pas gjashtë viteve nuk po mbaron, ndërsa për Muzeun e VMRO-së edhe për këtë vit janë ndarë  150 milion denarë. Ka edhe shumë shembuj të panumërt të diskriminimeve, ajo që është e sigurt, investime të huaja nuk do të ketë, ato nqë po bëhen nuk janë fitim prurëse dhe e tërër kjo për shkak të udhëheqjes diletanteske të kësaj qeverie’, deklaron ish ministri i financave Xhevdet Hajredini.

Shqetësim për ndërprerjen e investimeve kapitale te vendbanimet shqiptare ngritën edhe afaristët shqiptar. Projekt-reabalancin e buxhetit për vitin 2012 Kuvendi duhet ta miratojë javën që vjen, ndërsa ky do të jetë reabalanci i parë që ndodh vetëm pas tre muajve të parë.

/Portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button