PRESIONI MBRETËROR

E thyen derën e madhe me forcë dhe hynë në oborrin tonë. Ishin po nja dymbëdhjetë pandurë të armatosur dhe me ta edhe një i veshur me tesha civile, me pantallone  të gjera deri në gjunjë ngjyrë të zbardhuktë ulliri, kurse nën gjunjë ishin të ngushta për trupi, në mënyrë që t’i bënin çizmet e lëkurës.

“Rrethojeni kullën”! i urdhëroi ky që ish i veshur me tesha civili. Dhe, pandurët e rrethuan kullën tonë.  Pastaj ky i veshuri me tesha civili bërtiti:

“Blazhe, Kërpimir dhe Zhivadin, shpejt këtu, para meje”! Dhe, tre pandurë të veshur me uniforma mbretërore serbe, të armatosur me pushkë dhe me kama erdhën para njeriut të veshur me tesha civili.

“Jemi në urdhrin tuaj, zotëri”! u përgjigjën pandurën njëzëri.

“Gjejeni shpejt Osën dhe vinjani prangat “! Pandurët nuk duhej fare ta kërkojnë sepse ne, që të gjithë: im atë, pas të cilit kishin ardhur, im ungj Miti, unë, ime motër, Tringa trembëdhjetëvjeçe, ime ëmë Gonxhja kishim dalë para kulle pas gjithë asaj rrëmuje që u krijua kur e thyen derën dhe u futën brenda dhe për ne kujdeseshën disa pandurë me pushkë që i mbanin të drejtuara kah ne.

Blazheja, Kërpimiri dhe Zhivadini u nisën drejt nesh ta marrin babain, kurse im ungj e e ktheu kokën kah babai. Atëherë ai që ish i veshur me tesha civili i bërtiti tim ungji:

“Ti çun, rri rehat, mos ta marrësh një plumb në kokë për kujtim të fundit”! Ndodhi një qetësi varri. Pastaj ata me një pozë të bibanëve të fryrë iu afruan babait dhe ia vunë prangat.

“Nxirreni përpara meje, këtu”! bërtiti ai me tesha civili. Dhe, e nxorën babain midis oborrit, te strumbullari i lëmës, ku rrinte si gjel ai që ish i veshur me tesha civili.

“Lidheni për shtrumbullari”! Dhe, e lidhën!

“Zhivadin, merri nja tre shokë dhe lidhini edhe të tjerët, për çdo rast”! Dhe, na lidhën neve me tel, me fytyrë të kthyer kah babai.

Pastaj ai i veshur me tesha civili iu afrua babait, e nxori një copë letër dhe e lexoi me zë:

“Osë Rada, je i arrestuar në emër të ligjit dhe të mbretit ngase e ke sharë mbretin. Ke të drejtë të heshtësh, në të kundërtën çdo fjalë jotja do të përdoret në gjyq kundër teje. Ra një heshtje e thellë, përsëri!

“Bën çfarë ta do pika e qejfit, Boleslav Maçuga, bëre atë që e ke sajuar në atë kokën tënde të prishur! Njëherë përnjëherë është koha jote”! i tha babai pandurit të veshur me tesha civile, të cilin e kishte njohur. Panduri me tesha civile, Boleslavi, iu përgjigj babait me një të qeshue me  të gërvallur. Kur e hapi gojën Boleslavi, sa qeshte me zor, përfund mustaqeve ia pashë një dhëmb të artë dhe, nuk e di pse, më erdhi të vjell. Mund të jetë edhe nga frika për fatin e babait.

“Zhivadin dhe Blazhe”, urdhëroi ky Boleslavi, “kthejeni mirë kah bjeshka këtë hardall, ta shohë si duket krenaria epike shqiptare nën pushtetin tonë”! E kthyen babain e lidhur kah bjeshka. “Tash vini pushkët mbi të dy supet e tij duke qëndruar pas shpinës së tij”! Ata e çuan urdhrin në vend. I vendosën pushkët në supet e gjera të babait si mbështetse për të gjuajtur ndonjë shenjë. “Ndërsa tash grykëhollat çoni pak më përpara, kurse ju afrohuni edhe pak të arrestuarit. Merrni në shenjë Kepat e Kuq, atje lart në mal… Kurse tash pritni! Në urdhrin tim – gjuani, që Osa ta dëgjojë muzikën e pushkës mbretërore”. Përsëri ra një heshtje varri. “Merr shenjë”! bërtiti Boleslavi. Pandurët morën shenjë. “Gjuaj”! dha urdhër pastaj. U dëgjua një e shtënë e tmerrshme, kurse babai e lëvari kokën. Unë, Tringa dhe nëna ia dhamë vajit. Menduam më të keqen. Por babai shpejt pastaj e ngriti kryet.

“Lëshoje këtë llum shqiptari, Kërpimir”! urdhëroi kokëtuli Boleslav, duke bërë me dorë kah ne që ishim të lidhur me tel. “Zgjidhi”! Dhe, panduri na zgjidhi. Pastaj Boleslavi na u afrua neve dhe na tha: “Kam shpresë se e mësuat se nuk mund ta shani mbretin serb, gospodarin tuaj! Ndoshta e kuptuat se krali serb ësht hija e perëndisë në tokë. Hajt tash”, tha Boleslavi, “bani bythën, jeni të lirë “! Ndërsa ne nuk lëvizëm nga vendi ku ishim. Prisnim ta lirojnë edhe babain.

“Çfarë po prisni”? pyeti Boleslavi.

“Po babai im”? i thashë unë.

“E, ai do të rrijë edhe pak me ne”…

Ne deshëm të presim, por pandurët na futën me forcë në kullë. Ne shtyheshim brenda rreth dritares së vogël të kullës të shohim se çfarë do t’i ndodhë babait! Ishim të lemeritur.

Ndërkohë dy pandurë dolën nga dera e madhe dhe në oborr e futën një çezë të cilën e tërhiqte një kalë dori. E morën babain dhe e lidhën me kalin. Në çezë hypën Boleslavi, Kërpimiri dhe Zhivadini. Pandurët tjerë e bënë një shpalir që të kalonte çeza midis pandurëve, të cilët duartrokisnin.

“Ihaaaa”! bërtiti Boleslavi dhe i ra me kamxhik kalit. Kali u ngrit në dy këmbët e prapme dhe me gjithë okat e ngriti edhe babain lartë. Pastaj kali ia dha më katërsh duke e tërhequr zhargas edhe babain dhe dolën në rrugë. Pastaj, disa çaste e dëgjuam trokëllimën e kalit dhe kërcëllimën e rrotave të çezës nga dritarja e hapur e kullës dhe shpejt pastaj ra qetësia.

E pritëm babain tërë natën pranë llambës me vajguri. Nuk e kthyen.

Të nesërmen njerëzit kishin treguar si e kishin munduar babain duke e shtyrë të lidhur të vraponte me kalin deri në fshatin e largët V. ku ishte stacioni i pandurëve.

Im ungj pastaj shkoi te plaku i katundit të pyesë se çfarë është puna me babain që s’u kthye.

“Në burg është”, i kishte thënë kryeplaku.

“Po pse? Im vëlla s’ka bërë asgjë”!…

“Hesht”, i kishte thënë kryeplaku. “Mirë ka përfunduar yt vëlla. Gjallë është. Osa është i fortë. Do të shërohet dhe do ta përballojë këtë sfidë. Problemi është se dje janë vrarë nëntë burra dhe ne nuk e dimë a i kanë varrosur dhe, nëse i kanë varrosur, i kanë hedhur në ndonjë gropë në vend të panjohur… Ata bëjnë kështu presion që ne të shpërngulemi në Anadoll”.

Im ungj u kthye në shtëpi i përlotur.

E morëm vesh sa ishte sahati. Nëna atëherë  me lot në sy iu lut zotit:

“O zot i madh, ndihmoje burrin tim të cilin e burgosën pa bërë kurrfarë gabimi. Mos lejo, o zot, që fëmijët të më mbeten të uritur. Dhe, o zot, na e mbroj këtë prag dhe këtë kullë, sepse kjo është bota jonë që na e ke falur ti. Jashtë kësaj bote ne jemi të vdekur “!

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button