Del nga shtrati lumi Devoll, në Gjirokastër bllokohen rrugët, Rama, ministrat dhe deputetët në terren

Situata e përmbytjeve ka vazhduar edhe ditën e djeshme në shumë zona të vendit. Por edhe pse shërbimet meteorologjike parashikojnë që duke filluar nga dita e sotme do të ketë një përmirësim pasi pritet që reshjet të pakësohen, situata e përmbytjeve po ndihet në të gjithë vendin, njofton Sot News. Kështu dje pas daljes nga shtrati i lumit Vjosa apo dhe atij të Shkumbinit, ka dalë dhe lumi Devoll ku si pasojë e daljes nga shtrati ka shkaktuar përmbytjen e nënstacionit të Zëmblakut, në juglindje të vendit si dhe dëme të shumta në infrastrukturë.

Madje në disa pika, niveli i ujit ka kaluar mbi 1 m, duke sjellë jo pak probleme në të gjithë zonën. Ndërkohë me një situatë të vështirë ka vijuar të përballet edhe zona e Gjirokastrës. Ndonëse prej tre ditësh një pjesë e qytetit vijon të mbetet e përmbytur, si pasojë e reshjeve, janë shfaqur probleme dhe në akset rrugore.

Kështu ka pasur vështirësi të shumta në aksin Tepelenë-Gjirokastër, ku pati rrëshqitje masive të dheut në segmentin Shkallë e Zezë-Uji Ftohtë dhe në segmentin Virua-Kordhoc. Ndërkohë si pasojë e daljes së Vjosës nga shtrati ka pasur përmbytje edhe në Memaliaj por pa dëme të shumta materiale. Kurse në Sarandë është vënë në rrezik jeta e disa udhëtarëve pasi është shembur ura e Vanës si rezultat i përmbytjeve.

Qeveria në terren

Kabineti qeverisës prej dy ditësh vazhdon të jetë në terren për të monitoruar situatën e përmbytjeve. Vetë kryeministri Edi Rama inspektoi sërish dje të gjitha zonat e përmbytura në Fier dhe Vlorë. Madje kreu i kabinetit duke u ndalur në zonat më kritike dhe duke parë nga afër momentet e vështira me të cilat po përballen banorët, theksoi se qeveria do të fillojë ndërhyrjet në infrastrukturën e lumenjve. “Tani, duke u nisur nga pikat e dobëta të kësaj situate, duhet që të vazhdojmë ndërhyrjet aty ku faktikisht identifikohet domosdoshmëria për krijimin e infrastrukturës së sigurisë dhe të mbrojtjes, në mënyrë që të kemi shumë më tepër imunitet kur të vijë tjetra, se tani këto janë bërë ciklike për shkak edhe të gjithë ndryshimeve të klimës”, u shpreh Rama. Ndërkohë përveç Ramës në terren dje kanë dalë të gjithë deputetët, si ata të mazhorancës ashtu dhe ata të opozitës. Kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla ka vijuar me inspektimet në zonën e Gramshit, i cili përmes një postimi në rrjetet sociale kë bërë të ditur se jaë marrë të gjitha masat. “Deri në këtë moment në bashkinë Gramsh kemi patur probleme me rrëshqitje dheu dhe gurësh, e për pasojë bllokim të rrugëve ne Tunjë, Lenie dhe Gribë. Gjithashtu është rrezikuar një shtëpi në Grabovë Poshtë. Bashkia Gramsh ka marrë masat për hapjen e rrugëve”, shkruante Balla. Ndërkohë që ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka ka vijuar monitorimet në të gjithë zonat e prekura nga përmbytjet. Krahas kësaj situate të gjithë deputetët socialist janë shpërndarë në të gjitha zonat ata ku kanë fituar mandatin dhe po inspektojnë situatë me të cilën po përballet vendi.

Opozita mbikëqyr situatën

Kreu i PD, Lulzim Basha ashtu si dhe kryeministri ka vijuar me vizitat në zonat e prekura nga përmbytjet kryesisht në zonën e Fushë Krujës nga ku nuk i kurseu sulmet kundrejt qeverisë. Pasi sipas tij Emergjencat Civile nuk kanë ndërhyrë në këtë zonë. Ndërkohë kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi nuk i kurseu sulmet kundrejt kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë së tij pasi përmes një statusi në rrjetet sociale i bëri thirrje që të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme si dhe të mobilizojë fonde e ndihma për mijëra qytetarë të prekur.“Qeveria shqiptare duhet të mos humbasë më kohë, por në respekt të ligjit të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme, të mobilizojë fonde financiare, ndihma ushqimore, logjistikën e duhur që situata të kalohet me sa më pak dhimbje për mijëra qytetarët e prekur. Koha nuk pret”, tha ajo. Shërbimi meteorologjik ka parashikuar se edhe sot do të vijojnë reshjet, por në disa zona me intensitet më të ulët.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button