EULEX-i heton Pretenin

Edhe pse është i thirrur që ta luftojë korrupsionin dhe ta bëjë publik atë, i pari i Agjencisë Kundër Korrupsionit, Hasan Preteni, dyshohet se është i korruptuar. Ai të mërkurën është intervistuar nga polica në një hetim që janë duke e bërë hetuesit e EULEX-it, nën dyshimet se është korruptuar dhe ka falsifikuar dokumentet e zyrtarëve gjatë deklarimit të pasurisë.

Se është intervistuar Preteni, këtë e kanë konfirmuar edhe zyrtarët e këtij misioni, duke treguar se kjo ka ndodhur pas një ankese të paraqitur nga Organizata “Çohu” kundër kreut të Agjencisë Antikorrupsion, shkruan Lajm.

Drejtori i AKK-së, Hasan Preteni, e ka mohuar këtë. Mirëpo, ky fakt i Pretenit është hedhur poshtë të mërkurën, pasi që ai nuk ka marrë pjesë fare në komisionin për buxhet, ku ishte i ftuar. Mungesën e Pretenit e kishte “arsyetuar” deputetja Safete Haderxhonaj duke thënë se ai “nuk mund të marrë pjesë në mbledhje për shkak se i ka dalë një punë urgjente në polici”.

“EULEX-i mund të konfirmojë se anëtarët e OJQ-së ‘Çohu’ dhe Hasan Preteni janë intervistuar. Tema e intervistës ishte e lidhur me një ankesë të paraqitur nga OJQ-ja kundër kreut të Agjencisë Antikorrupsion”, ka thënë për Lajm, Blerim Krasniqi, zyrtar për informim në EULEX.

Burime të gazetës nga Prokuroria Speciale kanë thënë se intervistimi dhe hetimi i Pretenit është duke u bërë nën dyshimet për korrupsion dhe falsifikim të dokumenteve.

Preteni ka thënë për Lajm se nuk është e vërtetë se është kontaktuar nga ndonjë institucion i ndjekjes. Ai i ka quajtur shpifje deklaratat e organizatës “Çohu”, duke treguar se për ta ka ngritur edhe padi.

“Agjencia në asnjë rast nuk ka kryer asnjë shkelje ligjore. Kjo nuk ka ndodhur asnjëherë dhe nuk do të ndodhë në të ardhmen. Fyerjet dhe shpifjet e individëve që për qellim nuk e kanë luftën kundër së keqes, por luftojnë për ‘fonde’ dhe interesa të ngushta private, nuk do të na zmbrapsin”, ka akuzuar Preteni.

Edhe pse ai ka hedhur akuza ndaj organizatës “Çohu”, drejtori i kësaj organizate, Avni Zogiani, nuk ka dashur të jap komente duke thënë se po pret rezultate nga hetimet.

“Preferoj që të mos e komentoj këtë rast, derisa të ketë një rezultat nga hetimet”, ka thënë Zogiani.

Burime të Lajmit kanë bërë të ditur se rasti i hetimit për Pretenin ka kaluar në EULEX, pasi që ka pasur tentime të shuhet nga prokurorët vendorë. Ky rast fillimisht ishte dërguar në prokurorinë speciale, me pas në Prokurorinë e Qarkut, e cila pastaj ka tentuar t’ia hedhë rastin Prokurorisë Komunale.

Sipas burimeve, me marrjen e kësaj informate, EULEX-i e ka vendosur rastin nën menaxhimin e vet. /Telegrafi/

Lajme të ngjashme

Back to top button